Dasma e Princ Harry dhe Meghan Markel do kushtojë 32 milionë paund

TIRANE,14 Maj /ATSH/ – Dasma kushtojnë shumë, por kur bëhet fjalë për një dasmë mbretërore shpenzimet arrijnë në nivele të tjera. Ekspertët britanikë kanë bërë një llogaritje të shpenzimeve të dasmës se Princ Harry dhe Meghan Markel dhe vlera e saj është plot 32 milionë paund.

Kompania e planifikimit të dasmës “Bridebook” ka llogaritur koston duke filluar me lulet, ushqimin, argëtimin, veshjet, make-up, shpenzimet e sigurisë, muajin e mjaltit etj.

Dasma, e cila do mbahet më 19 maj në kështjellën “Windsor” pritet të jetë në listën e 10 dasmave më të shtrenjta.

Kostoja kryesore do të jetë te siguria, pasi kështjella ku do të mbahet ceremonia do të mbyllet dhe do të jetë e kontrolluar e ruajtur nga forca të nivelit të lartë të sigurisë. Policët e fshehtë, snajperistët dhe sistemet kundër dronëve do të jenë vetëm disa prej elementëve të sigurisë.

Fatura e dasmës së Harry pritet të jetë më e madhe se ajo e të vëllait, princit William. Dasma e këtij të fundit kushtoi 20 milionë paund.

Disa nga shpenzimet e dasmës mbretërore:

Kateringu, 286 mijë paund

Pritja zyrtare e drekës për mysafirët e shtetit dhe darka për familjen dhe miqtë pritet të kushtojë 286 mijë paund.

Pijet, 193 mijë paund

Vetëm pijet për të ftuarit llogaritet që të kushtojnë 193 mijë paund. Thuhet se disa nga pijet do merren në qilarët e pallatit mbretëror.

Fustani, 300 mijë paund

Të gjithë sytë do jenë mbi të dhe sigurisht që fustani kryesor do jetë madhështor. Nuk dihet saktësisht vlera e tij, por fustani kryesor do të ketë edhe koston më të lartë. Afërsisht është llogaritur që fustanet e saj të kushtojnë 300 mijë paund.

Muzika 300 mijë paund

Thuhet se në dasmën mbretërore do të performojnë, Spice Girls, Elton John, Chris Martin si dhe shoqja e Meghan, Rihanna.

Shpenzimet do të shkojnë edhe për muzikën e kishës.

Siguria

Siguria është një element mjaft i rëndësishëm dhe shpenzimet më të mëdha do të jenë për këtë çështje. Fakti që dasma nuk është në qendër të Londrës kërkon më tepër angazhim nga forcat e sigurisë, pasi edhe pjesëmarrja e publikut do të jetë e madhe.

Sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes do të përdoren në ditën e madhe.

Shpenzime të tjera janë për ftesat, dekorimin, trumbetat, fotografitë, unazat e martesës, veshjet e dhëndrit, argëtimi, muaji i mjaltit, transporti, tarifa e kishës, lulet. Të gjitha në total, sipas ekspertëve kapin vlerën e 32 milionë paund.

Mirëpo, edhe pse shpenzimet do të jenë të mëdha duket se fitimet do të jenë edhe më të mëdha. Sipas ekspertëve britanikë, dasma pritet të rrisë të ardhurat me 500 milionë paund, pasi një numër i madh vizitorësh do të vijnë në Britani për ceremoninë mbretërore./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.