HONG KONG, 11 maj /ATSH-AFP/ – Qindra persona u evakuan sot në Hong Kong pas zbulimit të një bombe të Luftës së Dytë Botërore në një kantier ndërtimi, zbulimi i tretë i këtij lloji këtë vit, njoftoi policia.
Policia vendosi një perimetër sigurie dhe evakuoi rreth 1 200 persona që ndodheshin në dyqanet, restorantet dhe zyrat e Wanchait, lagje e pasur shumë e frekuentuar e ish-kolonisë britanike.
Çminuesit ishin të pranishëm në përpjekje për të nxjerrë dhe për të çaktivizuar bombën prej 450 kilogramësh, prodhim amerikan.
Lënda plasëse u zbulua dje në një kantier për ndërtimin e një stacioni të ri metroje, aty ku dy bomba të të njëjtit model u gjendën në janar.
Nuk është e rrallë që punëtorët gjejnë bomba apo municione të pashpërthyera në Hong Kong, skenë e luftimeve të ashpra mes Japonisë dhe aleatëve gjatë pushtimit japonez në dhjetor të 1941 dhe çlirimit të qytetit në vitin 1945./ /ec/ a.jor.
