Rekomandimi i KE për hapjen e negociatave, moment historik për Shqipërinë

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Në luftën kundër terrorizmit, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë instrumentesh dhe mekanizmash, vendas dhe ndërkombëtar, për t’u ballafaquar me ekstremizmin e dhunshëm.

Në fjalën e saj, në konferencën ndërkombëtare të OSBE-së kundër terrorizmit, që po zhvillohet në Romë gjatë kryesisë së Italisë, ku marrin pjesë 100 delegacione nga 60 shtete dhe organizata të rëndësishme, zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, deklaroi se “nga një perspektivë strategjike, Shqipëria ka zhvilluar kuadrin për t’u marrë me terrorizmin ndërkombëtar, i intensifikuar sidomos pas vitit 2001”.

Ajo tha se u krijua një Drejtori e re kundër Terrorizmit brenda strukturës së Policisë së Shtetit. ”Kjo drejtori koordinon të gjitha aktivitetet e zbatimit të ligjit me institucionet e tjera, si Shërbimi Informativ Kombëtar, Agjencia e Mbrojtjes së Inteligjencës dhe Njësia e Inteligjencës Financiare, për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, – tha Kuko.

Zv.ministrja vuri në dukje se edhe Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm zbaton një qasje parandaluese ndaj ekstremizmit të dhunshëm duke identifikuar komunitetet në rrezik të rënies pre e radikalizimit dhe duke përdorur mjete si, arsimi dhe punësimi për të penguar përpjekjet nga grupe të ndryshme për të rekrutuar.

Në vijim, ajo shtoi se një nga prioritetet më të mëdha të Ministrisë së Brendshme është zhvillimi i një modeli të Policimit të Komunitetit dhe Bashkëpunimit në Komunitet, duke ndërtuar partneritete midis Komuniteteve dhe Policisë, palëve të interesit, shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve të lidhur që kontribuojnë në siguri dhe parrezikshmëri.

Kuko u ndal edhe te procesi integrues i vendit. “Në 17 prill, Shqipëria mori një rekomandim të qartë nga KE, lidhur me hapjen e negociatave me BE. Ky është një moment historik për vendin, pasi perspektiva europiane është një tregim i fuqishëm veçanërisht në mesin e të rinjve. Megjithatë ka skepticizëm mes atyre që mendojnë se vendi nuk është gati për të hyrë në BE. Dhe unë përfitoj nga këtu për të bërë një sqarim. Ky moment nuk ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, – deklaroi ajo.

Sipas Kukos, duke negociuar me BE-në, njerëzit tanë do të motivohen që vendi të jetë në rrugën e duhur, do të ketë më shumë shpresë dhe ata do të preferojnë të qëndrojnë në vend dhe të mos ikin. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.