TIRANË, 10 maj/ATSH/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të Fatmir Hoxhës, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Alma Faskaj vendosi me shumicë votash shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Fatmir Hoxha.
Kryetarja e trupës gjykuese, Pine, tha se “trupa gjykuese pasi mori në shqyrtim të gjithë dokumentacionin, kreu një proces të mirëfilltë, një hetim të thellë dhe të pavarur, dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit ligjor më 7 maj. Në përfundim të procesit të rivlerësimit vendosi më shumicë votash shkarkimin e Fatmir Hoxhës”.
Që prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtronte detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Gjatë shqyrtimit të pasurisë së gjyqtarit, KPK vuri theksin te një apartament 112 m2 në Tiranë, që është blerë në shumën 145 mijë euro. Sipas këtij komisioni blerja e apartamentit nuk justifikohet, pasi për të është deklaruar marrja e një kredie si i pastrehë në vlerën 5 milionë lekë dhe mungon justifikimi i pjesës së tjetër të shumës.
Ndërsa avokati i gjyqtarit Hoxha, tha se klienti i tij ka marrë borxh 28 mijë euro nga kunati i tij për blerjen e këtij apartamenti. Avokati theksoi se gjyqtari Hoxha ka jetuar në apartamentin e blerë edhe pse nuk kishte shlyer as 1/3 e vlerës.
Fatmir Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që u përfshi në procesin e Vetting-ut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt. Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani. /k.s/ /a.g/
