TIRANE, 10 Maj /ATSH/ Java e Sigurisë Rrugore përfshin qindra shkolla, organizata dhe komunitete çdo vit. Ajo synon të frymëzojë komunitetet për të ndërmarrë veprime në sigurinë rrugore dhe për të promovuar mesazhe të shpëtimit të jetës.
Një aktivitet i tillë u organizua me nxenesit e klasës së gjashtë të shkollës Edith Durham.
Bazuar në tematikën e javës “PO rripit të Sigurimit-JO përdorimit të celularit” nxënësit formuluan mesazhet e tyre duke i shoqëruar ato me njohuritë që kanë për sigurinë rrugore.
Gjithashtu shfaqën me projeksion edhe disa filma të shkurtër që lidhen me demostrime konkrete se si duhet të veprojnë fëmijët në trafikun rrugor.
Një nga faktorët më të rrezikshëm që shkakton dëmtime të rënda dhe fatale gjatë aksidenteve rrugore, lidhet me mospërdorimin e rripit të sigurimit. Grupmosha më e prirur për mospërdorimin e pajisjeve mbrojtëse, janë të rinjtë.
Përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë udhëtimit, ul rrezikun e përfshirjes në aksidente
vdekjeprurëse. Veçanërisht kjo konstatohet në dy vitet e fundit 2016-2017, ku vërehet që përqindja e viktimave që ka përdorur mjete mbrojtëse është shumë më e ulët krahasuar me ata që nuk kanë përdorur këto mjete gjatë udhëtimit.
Përdorimi i telefonave celularë gjatë drejtimit të mjetit ndikon direkt në uljen e përqendrimit të vëmendjes tuaj, duke ulur aftësinë e manovrimit në trafikun rrugor. Ai ndikon në drejtimin e mjetit sipas shenjave në rrugë, ndikon në kontrollin e shpejtësisë, në kontrollin e distancës ndërmjet dy mjeteve etj.
Sipas studimeve të kryera nga ekspertët e huaj, drejtuesit që përdorin telefonin celular gjatë drejtimit të mjetit, janë katër herë më të rrezikuar të përfshihen në aksidente se sa ata që nuk e përdorin telefonin celular. /e.malaj/ /a.g/
