Ja si ndryshojnë normat e interesit për kredinë e depozitat në lek

Three dimensional render of a cartoon human figure, holding a clipboard and writing while standing in front of a percentage symbol.
TIRANË, 10 maj /ATSH/- Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka stimuluar tregjet financiare të reflektojnë nivele të ulëta të normave të interesit, që kanë nxitur kreditimin dhe investimet.
Banka Qendrore ka publikuar raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e parë të vitit 2018, ku evidenton se normat e interesat për depozitat e reja në lekë rezultuan mesatarisht në nivelin 0.98% me një rënie të lehtë krahasur me 3-mujorin paraardhës.
Për depozitat në euro, normat e interesit regjistruan nivelin 0.14%.
Diferenca mes normave të interesit për depozitat në lekë dhe ato në euro ka ruajtur nivele të ulëta.
Interesi mesatar për kredinë në lekë shënuan vlerën 7.3%
Për sektorin privat, norma mesatare e interesit të kredisë rezultoi në 7.3% në tremujorin e parë, nga 6.8% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Rritja e interesave është formuar kryesisht tek maturiteti afatshkurtër, ndërkohë që tek maturitetet e tjera interesat janë luhatur në nivele të afërta me tremujorët e kaluar.
Interesi mesatar i kredisë mbi një vit luhatet në nivele të njëjta prej mbi një viti.
Analiza sipas agjentëve ekonomikë tregon se interesat e kredisë janë rritur tek bizneset. Normat e interesit të kredisë vijojnë të shfaqen të luhatshme për këtë segment, pasi ato shpesh ndikohen nga normat e kredisë për likuiditet.
Norma mesatare e interesit të kredisë për bizneset ka rezultuar 7.7% nga
7.0% që ishte në tremujorin e katërt. Brenda segmentit të bizneseve, normat
e interesit për kreditë për investime nuk kanë ndryshuar. Interesat për individë kanë shënuar ulje të lehta për kredinë hipotekare, ndërkohë që janë rritur lehtë për kredinë konsumatore.
Iinteresi mesatar për kredinë në euro është ulur në 4% 
Për sektorin privat interesi i kredisë në euro është ulur.
Ai rezultoi 4.0% në tremujorin e parë, duke qëndruar lehtësisht nën nivelin mesatar prej 4.3% të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Sipas qëllimit të përdorimit, rënie kanë shënuar normat e interesit për kreditë për investime të bizneseve dhe kreditë konsumatore për individë.
Diferenca e normës mesatare të kredisë në lekë kundrejt asaj në euro mbetet në nivele të ulëta, pavarësisht zgjerimit të shënuar në muajt e fundit. Ndërkohë, ajo mes interesave për kredi hipotekare është ngushtuar këta muaj, bën të ditur BSH-ja. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.