IFC emëron Wiebke Schloemer Drejtoreshë Rajonale për Europën dhe Azinë Qendrore

TIRANË, 10 maj /ATSH/- IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka emëruar Wiebke Schloemer në pozicionin e DrejtoreshëRajonale për Europën dhe Azinë Qendrore, rajon që përfshin 28 vende (mes të cilave edhe Shqipërinë), me një portofol investimesh prej mbi 10 miliardë dollarë dhe 89 projekte këshillimore. 

Në një njoftim për shtyp IFC bën të ditur se, Wiebke Schloemer zëvendësoi Drejtorin pararendës, Tomasz Telma, që nga data 1 maj 2018.  

Schloemer, e cila ka drejtuar deri tani Departamentin e Infrastrukturës në IFC, do të vendoset në Vjenë dhe do të drejtojë një rajon që përfshin Turqinë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Shqipërinë, Serbinë, Kazakistanin, Poloninë, Rusinë dhe vende të tjera, si dhe do të menaxhojë një ekip prej 420 profesionistësh, përgjegjës për më shumë se 3 miliardë dollarë investime të reja në vit.

Schloemer ka mbi 20 vjet përvojë në çështje që lidhen me financime projektesh dhe  korporatash, si dhe investime në kapitale private në një game të gjerë industrish, përfshirë energjinë, transportin, shërbimet, telekomunikacionin dhe sektorët e teknologjisë.

Para emërimit të saj në këtë pozicion, ajo ka drejtuar investimet e infrastrukturës së IFC-së në rajonin e Evropës Lindore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, duke menaxhuar investime mbi 5.5 miliardë dollarë.

“Ky është një rajon që ka krijuar shumë produkte dhe iniciativa të reja, që nga këshillime  për burime efikase energjie deri tek bonot e gjelbërta (Green Bonds),  që nga projekti i  parë i IFC-së për adaptimin ndaj klimës deri tek iniciativa për qytetet (IFC City Initiative), duke ndihmuar në këtë mënyrë bizneset private të rriten dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike rajonale” tha ajo.

“Ndërsa rezultatet janë të suksesshme, përballja me sfidat do të vazhdojë. Unë e shoh rolin tonë në rajon si ofrues të zgjidhjeve në sektorin privat në vendet me nevoja më urgjente,  tilla si përmirësimi i infrastrukturës, rritja e efektivitetit të agrobiznesit, mbështetja e inovacioneve miqësore ndaj klimës sektorin e prodhimit si dhe forcimin e tregjeve të kapitalit vendor”.

Në vitin 2004 Schloemer filloi të punojë për IFC-në me detyrë Oficere Investimi në Departamentin e Telekomunikacionit, Mediave dhe Teknologjisë (TMT) në Uashington, DC. Më pas përvoja e saj do të përfshinte Evropën dhe Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Lindore dhe Rajonin e Paqësorit.

Para se të fillonte punëme IFC-në Schloemer ka punuar në Bankën Evropiane të Investimeve në Luksemburg dhe  Korporatën Gjermane të Investimeve, DEG, me fokus në transaksione të financimit dhe investimeve në kapital në Afrikë, Azi dhe Evropën Lindore. e.xh/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.