Elbasan-Procesi i llogaridhënies publike edhe me të rinjtë

TIRANË, 10 maj /ATSH- I. Vata/ – Procesin i llogaridhënies publike në çdo cep të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e të rinjve në takime, ka qenë fokusi i diskutimeve të deputetit të PS-së Taulant Balla gjatë përmbylljes së  aktivitetin artistik të FRESSH  në Elbasan.

Deputeti i PS-së për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla shprehet se “së bashku me deputetët Evis Kushi dhe Ervin Bushati, me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, me drejtuesin kombëtar të FRESSH, Eljo Hyska dhe me përfaqësues të tjerë të PS ndoqëm përmbylljen e një organizimi të përkryer që FRESSH Elbasan ka bërë në të gjitha gjimnazet e qytetit”.

“FRESSH Talent mblodhi bashkë dhjetra të rinj të cilët shfaqën aftësitë e tyre të shkëlqyera në drejtime të caktuara artistike. FRESSH është një prej shtyllave kryesore të organizimit tone, sa politik, ashtu edhe elektoral.  Ky është një model shumë i mirë suksesi dhe karrirere brenda Partisë Socialiste” pohon Balla.

Më tej, Balla shton se “i njoha të rinjtë me procesin e llogaridhënies publike në çdo cep të Shqipërisë duke u kërkuar të jenë pjesë e këtyre takimeve. Që nga java e ardhshme ne do të jemi para popullit në disa njësi për të dhënë llogari për atë që është bërë deri tani dhe për ato detyra të cilat nuk janë bërë. Sigurisht, ka shumë qytetarë që kanë pritur shumë më tepër nga ne, në këto 7 muaj të parë të mandatit të dytë qeverisës, dhe qytetarët kanë të drejtë, ne duhet të kishim bërë shumë më tepër”.

“Por, është e rëndësishme të them, që ndryshimi ka nisur, ka shumë nevojë për përmirësim të shërbimeve në shumë zyra”, shprehet Balla. /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.