Shqipëriaqëduam.al, zgjidh problemin e mbifaturimit të qytetarit

TIRANË, 9 maj /ATSH- I. Vata/ – Platforma e bashkëqeverisjes “shqipëriaqëduam.al” ka rritur përgjegjshmërinë e institucioneve në shërbim të qytetarëve, duke zgjidhur një tjetër problem të një qytetari, i cili ishte mbifaturuar nga punonjësit e OSHEE.

Lajmi u bë i ditur nga koordinatorja e Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Juneta Dumi, e cila theksoi se ankesat e qytetarëve në adresë të OSHEE-së, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të gjithë kërkesave që vijnë në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në fjalën e saj, Dumi tha se “… aktualisht çështjet e hapura nga qytetarët në platformën e bashkëqeverisjes, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ankesave që vijnë në adresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kryesisht kanë të bëjnë me problemet e mbifaturimit të energjisë, për vonesën e lidhjeve të reja, me problematikat që kanë të bëjnë me amortizimin apo punëkërkues”.

“Çështja që ka të bëjë me mbifaturimin është sensitive, sepse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarin nga njëra anë, por nga ana tjetër është e shoqëruar me një dëm monetar”.

Më tej, Dumi shtoi se për të konkretizuar më saktë atë që sapo themi, më lejoni të tregoj një rast të një mbifaturimi.

“Ankesa u shpërnda menjëherë nga zyra e bashkëqeverisjes dhe iu transmetua operatorit të energjisë elektrike. Pas verifikimeve u vu re që qytetari kishte të drejtë, sepse qytetari ishte faturuar gabim nga leximi nga OSHEE. Menjëherë u morën masa nga OSHEE dhe u ndoqën të gjitha procedurat për rimbursimin e faturave”, – tha Dumi.

Po ashtu, Dumi tha se “qytetari shprehet se ishte një pagues i rregullt i energjisë si dhe tha se nuk kishte shtim të konsumit të energjisë për periudhën në të cilën ai ankohet. Përgjatë punës tonë ne ndeshemi me fenomene të tilla, ku qytetarët kërkojnë të trajtohen të barabartë dhe në mënyrë dinjitoze nga administrata publike, por përpos këtyre, ne marrim falenderime për punën në shërbim të tyre. OSHEE mori masa për largimin e faturuesit nga puna dhe rimbursimin e faturave të qytetarëve. Qytetari, falenderoi platformën e bashkëqeverisjes, pasi problemi u zgjidh brenda një jave”.

Duke ju referuar numrit të çështjeve që vijnë në platformën e bashkëqeverisjes, Dumi theksoi se “numri i çështjeve që vijnë në Ministrinë e Infrastrukturës janë 623 dhe peshën më të madhe e zë OSHEE me 60%, pastaj vjen sektori i transportit rrugor, por dhe raste të transportit ajror, detar dhe hekurudhor”.

Përsa i përket përgjegjshmërisë së institucioneve publike ajo tha se “… është rritur përgjegjshmëria e institucioneve publike që nga nisja e platformës së bashkëqeverisjes në muajin tetor dhe gjithmonë e më shumë, po i mëshohet faktit që ankesat të marrin zgjidhje nga institucionet publike”, – përfundoi Dumi./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.