Haradinaj: Ndalimi i Kombëtares së Kosovës, akt i papranueshëm

PRISHTINË, 9 Maj/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj e cilësoi sot ndalimin e Kombëtares së Kosovës nga autoritetet e Serbisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad të Vojvodinës, si akt të papranueshëm që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Autoritetet serbe janë njoftuar me kohë nga Komiteti Olimpik i Kosovës për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar me kohë është i paqëndrueshëm”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Kryeministri Haradinaj tha se “këtë akt ndalimi të shtetit serb, të dytin me radhë brenda një kohe të shkurtër, e konsiderojmë si veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit, në vend të bashkëpunimit”. /k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.