BERZH vlerësime pozitive për rritjen ekonomike në Shqipëri

TIRANË, 9 maj /ATSH/ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon  që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 3.8% këtë vit, nga 3.7% që projektonte në raportin e kaluar.

Ndërsa për vitin e ardhshëm, BERZH parashikon që rritja ekonomike do të jetë 3.9%.

BERZH ka vlerësuar pozitivisht rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2018.

Në raportin “Perspektivat Ekonomike Rajonale në rajonet ku operon BERZH, maj 2018″ citohet se “parashikimet e rritjes ekonomike gjatë vitit 2018 rishikohen me rritje, ndërsa rimëkëmbja e gjerë vazhdon”

BERZH shprehet optimist për arritjet në Shqipëri duke ia dedikuar trendin e rritjes dinamikës së fortë të ekonomisë shqiptare.

Banka citon se, pas vitit 2020, ekonomia shqiptare do të fillojë të korrë përfitimet e dy projekteve madhore TAP dhe DEVOLLI si dhe ritmin e investimeve të huaja.

Përsa i takon sektorit bankar, BERZH thekson se ai vazhdon të përmirësohet dhe për rrjedhojë rritje do të vazhdojë të ketë edhe kreditimi./  /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.