Treg modern në sektorin e peshkimit në Lezhë

TIRANË, 8 maj /ATSH- I. Vata/ – “Sektori i peshkimit në Lezhë do të ketë një merkato moderne peshku me dy kate, një investim i qeverisë shqiptare”, tha sot zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Roland Kristo gjatë prezantimit të projektit të zhvillimit në sektorin e peshkimit në Lezhë.

Zevendësministri Kristo theksoi se sektori i peshkimit për vitin 2018 ka patur rritje me 30%, falë politikave të qeverisë.

“Sektori i peshkimit është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 84 milionë lekë. Kapanoni i portit që është në gjendje të keqe do të rikonstruktohet dhe do të ketë një strukturë me dy kate. Ajo që do të ndërtohet do të jetë një merkato prodhuese që do funksionojë për grumbullimin dhe shitjen e prodhimit përmes transparencës”, – nënvizoi Kristo.

Në lidhje me mënyrën e funksionimit të këtij tregu, Kristo shpjegoi se “… do të jetë i ndërtuar me dy kate, ndërsa në pjesën e sipërme do jenë zyrat, i gjithë sistemi do kontrollojë prodhimin dhe pjesa tjetër është zona e ankandit dhe pjesa e frigoriferit”.

Duke vlerësuar kujdesin e qeverisë për sektorin e peshkimit, Kristo theksoi se “… sektori i peshkimit ka marrë një angazhim që të kalojë eksportin e prodhimeve bujqësore. Eksportet 2018, janë të rritura me 30% dhe kjo falë politikave të qeverisë shqiptare”.

“Elementi i dytë do të jenë merkatot në Shëngjin, pastaj në Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Gjithashtu jemi në fazat e rregullimit të peshkimit të vogël bregdetar. Ajo që kemi bërë është se kemi ndryshuar ligjin për peshkimin bregdetar, për ta bërë peshkimin konkurrues”, – tha Kristo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.