“Rruga e Kombit”, Rama: Po punojmë për një opsion të arsyeshëm

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës së tij në emisionin “Top Show”, në përgjigje të interesimit për pagesën për “Rrugën e Kombit”, theksoi se qeveria është duke punuar për gjetjen e një opsioni të arsyeshëm për qytetarët dhe që nuk vë në rrezik investimin.

“Ne gabuam në të gjithë strategjinë e implementimit të një kontrate shumë delikate, pasi ishte hera e parë që vendosëm një sistem rruge me pagesë. Ne nuk shpjeguam, nuk dëgjuam dhe e lamë të rridhte zbatimi i saj, si një kontratë e zakonshme për një punë publike të zakonshme”, – tha Kryeministri.

Por theksoi ai “… është e pamundur të mos gabosh, por e rëndësishme është të mos gabosh me qëllim të keq dhe është e rëndësishëm të mos i  përsërisësh gabimet. Ky është një mësim për mënyrën e proceseve që kanë të bëjnë me interesin e njerëzve dhe kanë të bëjnë me gjëra që nuk janë bërë më parë”.

“Të gjitha rrugët në Shqipëri kanë alternativë dytësore dhe duke qenë se ‘Rruga e Kombit’ është e vetme, për banorët do të bëjë maksimumin. Do të përdorim të gjithë kohën e nevojshme për informimin e qytetarëve”, – deklaroi Rama.

Negociatat, Rama: Vendimi ndikohet nga problemet e vendeve të BE

Hapja e negociatave në muajin qershor mes  Shqipërisë dhe Bashkimit Europian është një nga çështjet kryesore të qeverisë Rama, ku do të synohet bindja e vendeve skeptike që të votojnë pro vendit tonë.

Rama theksoi marrjen e rekomandimit pozitiv dhe pa kushte, nga Komisioni Europian, është një ‘makineri vlerësimi’ që paguhet nga shtetet anëtare të unionit.

“Ne morëm një rekomandim pa kushte nga Komisioni Europian, që është një ‘makineri vlerësimi’ që paguhet nga shtetet anëtare të unionit. Që nga momenti kur kaloi me sukses këtë test të ashpër të KE-së, Shqipëria e ka mbaruar punën e saj. Tani BE-ja ka probleme të vetat dhe më tepër akoma, shtete të caktuara kanë probleme të brendshme, ndaj vijnë disa politikanë të caktuar, që për interesa të caktuara, na tregojnë se kemi ende punë për të bërë. Kjo është diçka që ne e dimë, pasi jemi koshientë që duhet të ecim përpara, por kjo bëhet edhe me negociatat e hapura. Ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, por po kërkojmë kurën për t’u bërë anëtarë. Parapërgatitja ishte hapi i parë, apo kura e parë dhe negociatat janë një kurë tjetër që ne duhet ta marrim për të ecur drejt integrimit në BE”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se tani fillon puna e tij, për të bindure vendet skeptike që të lënë Shqipërinë jashtë problemeve të tyre të brendshme dhe t’i japin atë që meriton.

Platforma “shqiperiaqeduam.al” instrument që e vë administratën në shërbim të qytetarëve

Kryeministri Rama e cilësoi platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, si instrumentin që e vë administratën në shërbim të qytetarëve.

“Platforma ‘shqipëriaqëduam’ dhe gjithkush duke e shkarkuar nga celulari i tij, e ka në xhep qeverinë, në kuptimin më të plotë të fjalës. Kjo do të thotë se çdo njeri që ndeshet me ndonjë padrejtësi apo vonesë, nuk duhet të kërkojë rrugët e vjetra të mikut apo ryshfetit, por mjaftojnë 3 minuta për të hyrë dhe bërë prezent problemin që ka”, – tha Rama. Unë ju garantoj, theksoi ai, se brenda 10 ditësh njerëzit që i adresohen platformës marrin përgjigje, sepse çdo kërkesë dhe ankesë nuk ngec në filtrat e burokracisë. Por regjistrohet në një qendër të dhënash, nga ku monitorohet çdo ankesë dhe shkon drejtpërdrejt tek ministri përkatës për të marrë përgjigje”, – deklaroi Kryeministri.

Kjo platformë tha ai, po e vë administratën në shërbim të qytetarëve dhe na ndihmon  realisht të zgjidhim problemet.

Duke u ndalur në turin për llogaridhënien, Kryeministri tha se llogaridhënia po i krijon kushte njerëzve të flasin lirisht. “Është e rëndësishme që ballafaqohen opinione pa filtra dhe pa censurë”, – tha ai.

Spitalet tani nuk kanë të krahasuar me ato të Shqipërisë që lamë pas

Sistemi i shëndetësisë në vend nuk ka të krahasuar me atë të qeverisë së mëparshme.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në “Top Show”, duke theksuar se sistemi i ri i patronazhimit dhe hapja e specializimeve në mjekësi do të zgjidhë shumë shpejt problemin e mjekëve në të gjithë vendin.

“Në spitalet tona ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur. Ne u përballëm me një mbyllje pa shkak për 4 vite të specializimeve, gjë që bëri të ndjejmë mungesën e mjekëve specialistë, sidomos në spitalet e rretheve. Vitin e ardhshëm pritet të dalë grupi i parë i specializantëve dhe nuk do të kemi më mungesë të mjekëve specialistë në spitale.

Të thuash që në spitalet tona nuk paguhet, thuhet një e pavërtetë, por të thuash që në spitalet tona, po nuk pagove vdes, është një realitet tjetër.

Sot ne kemi një progres të rëndësishëm të rimëkëmbjes së shërbimit tonë shëndetësor.

Shikoni Dializën, operacionet, si ishin kushtet dhe si janë sot, si nata me ditën.

Jam besimplotë që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të bëjmë më shumë se kaq”, – theksoi Kryeministri.

Në 4 muaj kemi punësuar 6700 persona, objektivi është të punësojmë 25 mijë të tjerë 

Kryeministri Rama tha se vetëm gjatë 4 muajve të parë të këtij vitit kemi punësuar nëpërmjet Zyrave të Punës 6700 persona, ndërsa objektivat tona janë në punësimin e 25 mijë personave të tjerë.

“Vetëm në panairin e punës që u zhvillua pak ditë më parë, kompanitë bankare kishin vende pune me paga shumë të larta si ekonomistë apo IT, pra tregu i punës ka vende pune sot”, – deklaroi Kryeministri.

Aksion për identifikimin e bilanceve të kompanive

Prioritet i qeverisë do të jetë edhe lufta kundër informalitetit në deklarimin e pagave.

Kryeministri Rama lëshoi akuza në drejtim të biznesit të cilët deklarojnë paga shumë të ulëta krahasuar me ato realet.

“Ka një problem real, që lidhet me shmangien e taksave, pasi bizneset deklarojnë paga shumë më të ulëta, sesa paguajnë realisht punonjësit. Askush nuk e beson se një inxhinier apo një menaxher i lartë, të paguhet 35 mijë lekë në muaj, ndaj ne tani do të nisim një aksion, për të verifikuar të gjitha bilancet e kompanive dhe për t’i dhënë fund punës me dy bordero të bizneseve”, deklaroi Rama.

Fituam luftën me kanabisin

Duke u ndalur te fenomeni i kanabisit dhe luftën kundër tij, Kryeministri theksoi se ky fenomen nuk lindi me marrjen e mandatit nga qeveria e tij, por po luftohet në çdo instancë të tij, duke e cilësuar si një betejë të fituar nga ana e qeverisë.

“Kanabisi u bë problem në Shqipëri kur filloi të luftohej dhe kanabisi në Shqipëri nuk u mboll, u korr dhe u transportua gjatë marrjes së mandatit tonë.

Po të shikoni dokumentacionin e Ministrisë së Brendshme funksiononte me komunikata sekrete, të cilat u çkoduan nga Saimir Tahiri, tregonte që ajo polici e lodhur e asaj kohe kapte sasi të caktuara kanabisi. Rrjetet e trafikantëve filluan të paguanin ryshfet për të korruptuar titullarë dhe ne këtë luftë e fituam, sot kanabisi nuk është më një problem në Shqipëri kjo është e vërteta. Realiteti i kanabisit nuk lindi me ne. Burimi më serioz është “Guardia di Finanza”, dhe ky nuk është një problem që lindi me ne por ne e shkulëm dhe e fituam atë betejë.

Tahiri? Prokuroria e Katanias nuk ka ngritur hetim për të

Kryeministri i qëndroi besnik deklaratave të tij dhe tha se Tahiri ka bërë shumë punë të mira gjatë punës 4-vjeçare në Ministri, ndërsa theksoi se ende Prokuroria e Katanias, por edhe ajo e Krimeve të Rënda, nuk kanë provuar implikim të tij deri më sot.

“Unë vijoj të them sërish vlerësimin tim për ato punë të mira që ka bërë Saimir Tahiri, gjatë periudhës që ka qenë Ministër i Brendshëm, për thuajse 4 vite. Sa i përket hetimit të një grupi kriminal, ku në përgjime përmendej edhe emri i Tahirit, mund të them se deri tani, Prokurorët e Katanias, të cilët janë ‘skiftera’ për çështje të tilla dhe nuk do të falnin një ministër shqiptar, nuk kanë ngritur asnjë hetim për Saimir Tahirin. Madje as Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme për implikimin e Saimir Tahirit në trafikimin e kanabisit, ose të paktën nuk erdhi asnjë ditë ta paraqesë në Komisionin Parlamentar.”, – tha Rama.

Po ndodh revolucion në pallatin e drejtësisë
Kryeministri tha se praktikisht ajo që po ndodh sot nuk ishte imagjinuar me parë. Ajo që po ndodh sot është një revolucion në pallatin e drejtësisë, reformat që po bëjmë janë bazë për fëmijët e këtij vendi.
Shqipëria që kemi sot ka një pjesë të madhe të halleve dhe problemeve që lidhen me këta njerëz dhe atë sistem që për 28 vjet ishte i paprekshëm. Njerëzit më të paprekshëm dhe njerëzit që kanë bërë gjëma kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë.
/e.xhajanka//e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.