Meta: KLD duhet të shkarkonte gjyqtarët, shkelje me pasoja të rënda

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta shpreh keqardhjen për mosmiratimin e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e disa gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kështu deklaroi zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i pyetur mbi reagimin që ka ky institucion, për vendimin e djeshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u rrëzuan propozimet e ministrit të Drejtësisë, për shkarkimin nga detyra të disa prej gjyqtarëve.

“Presidenti Meta, që prej marrjes së detyrës si Kryetar i KLD-së, ashtu si dhe ditën e djeshme ka mbështetur në vijimësi të gjitha propozimet e Ministrisë së Drejtësisë (propozime të ish-ministrave të Drejtësisë, apo ministres aktuale Gjonaj) për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve, kërkesa këto aktuale, apo kërkesa të mbartura dhe të pashqyrtuara nga KLD-ja. Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimmarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe një herë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma”, – nënvizon Blushi.

Sipas tij, KLD sot funksionon bazuar në dispozita tranzitore dhe kjo gjendje duhet të marrë fund sa më parë.

“Ngritja dhe funksionimi i organeve të reja si; Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, do të vendosë çdo gjyqtar përballë një sistemi objektiv të llogaridhënies për veprimtarinë e tij. Shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda”, – shprehet Blushi.

Ai tha se votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritshmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.