Haradinaj: Dita kur do t’i bashkohemi familjes europiane, nuk është larg

PRISHTINË, 8 Maj/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj shprehu sot bindjen se brenda këtij viti Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, ndërsa nuk është larg edhe statusi i vendit kandidat për anëtar të BE-së.

Ai këto komente i bëri gjatë një bashkëbisedimi me të rinj të Kosovës, me temën “Ardhmëri-Zhvillim-Perspektivë”, “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian në shënim të ditës së Evropës.

“Europa është pak skeptike në zgjerim, por këtë skepticizëm nuk e ka të lidhur me Kosovën, por për shkak të proceseve të saj të brendshme”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj u shpreh se “të rinjtë e Kosovës duhet të dinë që ne do t’i takojmë familjes së madhe europiane. Kjo ditë nuk është e largët, këtë duhet ta dini. Koha po kalon shpejt dhe besojmë se këtë vit do ta marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave, por nuk duhet të shkoj në pakufi edhe pozicioni i Kosovës për t’u bërë anëtar i BE-së, sepse këtë e meritojmë dhe është e drejtë e jona”.

Po ashtu, Haradinaj u tha të rinjve, se edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave, nuk duhet të gabojmë me veprime të cilat do të mund të ndikonin tek BE-ja, në ndaljen e vizave, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm në udhëtime dhe veprimet tona.

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha tha se “e ardhmja jonë është në BE, por e ardhmja jonë nënkupton se duhet të bëjmë shumë punë që Kosovën ta bëjmë vend ku të gjithë të kemi të ardhme të ndritur dhe secili nga ne e ka këtë rol”.

Në këtë debat një fjalë para të rinjve, e kanë mbajtur edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili theksoi se “liberalizimi i vizave për ne do të thotë shans e mundësi, por shans e mundësi jo për të ikur menjëherë jashtë për arsye se nuk do ta lëmë Kosovën për çfarë kemi sakrifikuar aq shumë, por si mundësi për t’i rikthyer edhe ata të cilët na kanë ikur”.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se këtë vit Ditën e Europës ia kemi kushtuar reformës arsimore në Kosovë.

Në këtë debat kryeministri iu përgjigj shumë pyetjeve që u drejtuan nga të rinjtë për proceset e rëndësishme në të cilat po kalon vendi, me theks të veçantë proceset integruese euro-atlantike.

Debati u organizua nga Ministria e Integrimit Europian në kuadër të 9 Majit, Ditës së Evropës./KosovaPress/k.s/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.