Deklarimi i TVSH-së, informohen mbi 66% e bizneseve të vogla në Elbasan

TIRANË, 8 maj/ATSH/- Nga fillimi i muajit mars e deri tani mbi 66% e bizneseve të vogla të identifikuara janë informuar në terren nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në rajonin e Elbasanit. Në këtë qark janë 571 subjekte që i përkasin kësaj kategorie.

Administrata Tatimore vazhdon të informojë tatimpaguesit e biznesit të vogël, që janë përfshirë për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Në kuadër të kësaj fushate, Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Elbasan, Bedri Bejtja,siguroi se të gjithë do të kenë në çdo kohë mbështetjen e Administratës Tatimore për hartimin dhe dorëzimin e librave të shitjes dhe të blerjes, por edhe kryerjen e deklaratës së TVSH-së e cila do të jetë tejet e thjeshtë.

Gjithashtu, drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Elbasan e ftoi biznesin e vogël të këtij rajoni që t’i drejtohen Këndit të Asistencës pranë Shërbimit të Tatimpaguesve për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm, si dhe të bëhen pjesë e trajnimeve që do të zhvillohen deri në fund të muajit qershor.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.