BERLIN – Volkswagen merr garanci nga FBI-ja pas skandalit të motorëve të trukuar

BERLIN, 8 maj /ATSH-AFP/ – Menjëherë pas vënies nën akuzë të njërit prej paraardhësve të tij, drejtuesi i ri i Volkswagen po bashkëpunon me drejtësinë amerikane në hetimin për skandalin e motorëve të trukuar, duke marrë personalisht garanci, raportuan sot mediat gjermane.

Sipas së përditshmes më të shitur gjermane ‘’Bild’’, drejtori i përgjithshëm Herbert Diess i emëruar në mesin e muajit prill, u takua në SHBA në fillim të majit me hetuesit e FBI-së dhe të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

‘’Drejtuesi i ri u ka lëshuar disa deklarata hetuesve të FBI-së dhe Ministrisë së Drejtësisë që ishin qartësisht akuzuese, me sa duket për ish-kreun e grupit të automjeteve, Martin Winterkorn”, njofton e përditshmja pa cituar burime.

Hetuesit amerikanë nga ana e tyre i premtuan Diess se do të lajmërohej në rast të lëshimit të një madatarresti kundrejt tij, që mund të çonte në ndalimin e tij gjatë udhëtimit jashtë Gjermanisë.

I pyetur sot në mëngjes nga media, Volkswagen nuk dha asnjë përgjigje për momentin./ v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.