Mbi 8 700 individë kryen deklarimin individual vjetor të të ardhurave

TIRANE, 7 Maj/ATSH/- Rreth 8 700 individë dorëzuan në fund të muajit prill deklaratën individuale vjetore të të ardhurave (DIVA), një detyrim vjetor që në Republikën e Shqipërisë e kanë si rezidentët, ashtu edhe jo rezidentët, të cilët realizojnë të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë. Kjo shifër është rreth 5% më e lartë se numri i deklaruesve të vitit paraardhës.

Për vitin 2017, vlera e paguar nga individët, të cilët bënë deklarimin e të ardhurave vjetore u rrit me 118%, krahasuar me pagesat e kryera për vitin 2016. Thënë ndryshe, pagesa totale e derdhur nga këta individë në buxhetin e shtetit është në vlerën e rreth 275 milionë lekëve.

Një shifër e tillë, për administratën tatimore tregon padyshim ndërgjegjësimin e kësaj kategorie individësh për deklarimin dhe pagesën e të ardhurave personale të tatueshme, si dhe është një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se individët, të cilët konstatojnë se kanë bërë gabime në deklaratën e dorëzuar në datë 30 Prill, kanë të drejtë të korrigjojnë deklaratën e tyre dy herë brenda një periudhe tremujore.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.