MASR, procedim disiplinor për dy drejtuesit e arsimit në Lezhë dhe Mirditë

TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nisur sot procedimin disiplinor ndaj Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Lezhës dhe Drejtorit të Zyrës Arsimore të Mirditës.

Në një njoftim për shtyp MASR bën të ditur se “procedimi erdhi pas ngritjes së shqetësimit publik në lidhje me mungesën e energjisë elektrike në shkollën Orosh të Mirditës”.

“Pas verifikimit në terren duke konstatuar të drejtë problematikën e ngritur, nisur nga ky shqetësim konkret, gjatë një takimi publik të zhvilluar në Lezhë, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka nisur sot  procedimin disiplinor me motivacionin “Mospërmbushja e detyrave, mosmarrja e masave për situatën e krijuar nga mungesa e energjisë elektrike për një periudhë të gjatë në shkollën Orosh, që ka cënuar mbarëvajtjen e procesit mësimor”, ndaj Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Lezhës dhe Drejtorit të Zyrës Arsimore të Mirditës”, theksohet në njoftim.

MASR garanton se shumë shpejt situata në shkollën e Oroshit do të marrë zgjidhje. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.