KINË – Pekini: Palët duhet të tregojnë kujdes për gjendjen në Gadishullin Korean

PEKIN, 7 maj /ATSH/ – Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Geng Shuang tha sot në Pekin se me përpjekjet e përbashkëta të palëve, kohët e fundit gjendja në Gadishullin Korean ka patur një sërë ndryshimesh pozitive dhe ka njohur zbutje të tensioneve. Kjo është një arritje e vështirë dhe palët duhet të ruajnë dhe të përkujdesen më shumë për gjendjen e tanishme, sipas CRI-së.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut bëri të ditur se “SHBA-ja ka deklaruar që vendimi i Koresë së Veriut për tërheqjen nga programi bërthamor, të përfshirë në Deklaratën e Panmunjom-it, është rezultati i sanksioneve dhe presionit nga pala amerikane dhe se Uashingtoni nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj Phenianit deri në momentin e tërheqjes së plotë nga programi bërthamor. Në një gjendje më të zbutur tashmë, deklarata të tilla janë ngacmuese, si ujë i ftohtë ndaj atmosferës së ngrohtë të dialogut të arritur me vështirësi dhe do të rikthejë gjendjen e mëparshme të tensionuar në Gadishullin Korean”.

Lidhur me këtë, Geng Shuang u shpreh se përsa i përket situatës aktuale, palët duhet që në mënyrë të veçantë të ruajnë vendosmërinë dhe të ecin drejt njera-tjetrës. Duhet të flasin me gjuhë miqësore dhe zbutëse. Duhet të veprojnë në favor të dialogut dhe rritjes së besimit të ndërsjellë. Ne shpresojmë që takimi i liderëve të Koresë së Veriut dhe SHBA-së të shkojë sa më mbarë dhe të ketë zhvillime pozitive, në mënyrë që situata e mirë e tanishme të konsolidohet më tej.

Kina u bën thirrje palëve përkatëse të nxisin procesin e zgjidhjes politike të çështjes së gadishullit sipas konceptit ‘dy shina paralele’ dhe të balancojnë interesat e veta të arsyeshme, për të krijuar një të ardhme me stabilitet dhe paqe të përhershme./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.