Hoxha: Të integrojmë Kosovën sa më shpejtë në strukturat euroatlantike

PRISHTINË, 7 Maj/ATSH/.- Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, me rastin e Ditës së Europës, ka bashkëbiseduar me studentët e universitetit  “Isa Boletini”, në Mitrovicë, ku ka diskutuar për rëndësinë e kësaj dite dhe synimet integruese të Kosovës.

Hoxha ftoi studentët që së bashku t’i përkushtohemi të ardhmes, të zhvillojmë vendin dhe në këtë mënyrë të integrojmë Kosovën sa më shpejtë në strukturat euroatlantike, pasi kjo është e ardhmja jonë si komb, individë apo edhe si rajon.

Pasi foli për lidhjen e saj të pashkëputshme me Mitrovicën, Hoxha  falënderoi të pranishmit për bashkëbisedimin, me temë  të ardhmen europiane, rolin e arsimit në të ardhmen dhe perspektivat e tyre si studentë.

 “Sa i përket të ardhmes tonë, kjo tashmë është e përcaktuar, me hyrjen në fuqi të MSA-së ne kemi bërë hapin e parë zyrtar drejt procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Koha kur do t’i bashkohemi familjes së madhe europiane varet në masë të madhe nga ne, nga institucionet e këtij vendi, por edhe nga ju”, theksoi Hoxha, duke shtuar se rol të rëndësishëm luajnë edhe institucionet dhe shtetet e BE-së.

Ministrja Hoxha tha se “mundësitë për të marrë dije kurrë nuk kanë qenë më të mëdha e këtu përveç teknologjisë informative fjalën e kam edhe tek aplikimi për bursë dhe për studime jashtë vendit”.

Sipas saj, për vitin 2016 dhe 2017, Erasmus+ ka zhvilluar shkëmbime afat shkurtra për stafin dhe studentët që kanë përfituar gjithsej 974 anëtarë të stafit dhe studentë nga Kosova, të cilët kanë shkuar në vendet e BE-së, si dhe 460 studentë të huaj, të cilët kanë ardhur nga shtetet e BE-së, për të studiuar apo marrë përvoja akademike në Kosovë, si dhe 16 studentë për studime të plota në master.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.