Mbyllet faza e parë e Vetting-ut në Polici, të hënën nis faza dytë

TIRANË, 6 maj/ATSH-A.Fortuzi/ – Vetting-u në Policinë e Shtetit po shkon drejt përfundimit të fazës së parë, e cila parashikonte dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit nga punonjësit e policisë me gradë të lartë.

Sipas afateve të paracaktuara, më datë 7 maj mbyllet faza e parë dhe nis faza e dytë, ajo e verifikimit nga komisioni teknik i formularëve të plotësuar nga trupa policore me grada të larat, teksa do të nis plotësimi i formularëve të vetëdeklarimit nga punonjësit e policisë me grada të mesme, që llogariten rreth 3 mijë të tillë.

Procesi i vlerësimit në Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, mbështet pjesën e shëndetshme në radhët e këtyre institucioneve duke larguar pjesën e infektuar dhe që ka probleme me ligjin, duke synuar hedhjen e bazave për të ndërtuar policinë e së ardhmes.

Procesi mbështet në tre kritere, te pastërtia e figurës, te pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Ideja është që në vlerësim do të kalojnë të gjithë punonjësit duke nisur nga titullari, deri te punonjësi më i thjeshtë.

Sistemi i gradave i ndan këta punonjës në tre kategori, grada e lartë ku bëhet fjalë për 300 punonjës, e mesme që e kanë 3 mijë punonjës dhe e ulët ku futen rreth 9 mijë punonjës. Do vlerësohen fillimisht gradat e larta, pra drejtuesit e lartë.

Për vlerësimin e gradave të larta, do përdoret një komision që në ligj quhet Komisioni i Jashtëm, që janë anëtarë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. Konkretisht 5 anëtarë vijnë nga ILDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve, dhe 5 anëtarë përzgjidhen me konkurrim anëtarësh.

Në fazë të dytë është Komisioni Qendror i Vlerësimit që do të ketë 45 anëtarë, 30 nga të cilët do të shtohen nga radhët e policisë që e kanë kaluar Vetting-un në fazën e parë.

Në fazën e fundit komisioni i vlerësimit do të ketë 135 anëtarë, që do të shtohen nga radhët e Policisë që kaluan me sukses fazën e dytë.

Dhe më pas këto komisione pushojnë së funksionuari dhe SHÇBA vijon kontrollet periodike çdo tre vite. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.