FOTO/ Qyteti që ruan të paprekur skemën urbanistike, restaurohet një tjetër banesë

TIRANË, 6 Maj/ATSH/.- Në qytetin e Gjirokastrës përfundoi ndërhyrja resturuese emergjente në banesën Duka, monument kulture i kategorisë së dytë.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër bën të ditur se “falë përgjigjes në kohë dhe shqetësimit të DRKK-së dhe mjeshtrave, përfundoi ndërhyrja emergjente në banesën Duka”.

Sipas DRKK-së, çatia e banesës Duka, me fasadë nga pazari rrezikonte të binte.

“Ishte një çështje shqetësuese jo vetëm për vetë banesën, por rrezik për kalimtarët e shtëpinë nën të”, shprehen specialistët.

DRKK Gjirokastër vijon punën për ndërhyrjet emergjente në banesat monument kulture të qytetit të gurtë. Disa ditë më parë specialistë ndërhynë edhe në banesën Konomi, ku restauruan çatinë e saj.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Në qytet veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.

Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.