Skema Kombëtare e Mbështetjes, 4600 fermerë përfitues të fazës së parë

TIRANË, 5 maj /ATSH/- 4600 fermerë janë shpallur përfitues të fazës së parë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural 2018.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, bëri të ditur sot listën e parë të fermerëve fitues që kanë aplikuar për subvencione, ndërkohë që theksoi se mbi 80% e fermerëve aplikantë janë përfitues të skemave të mbështetjes financiare.

Peleshi tha se këtë vit numri i fermerëve që aplikuan në Skemat e Mbështetjes u rrit me 30% më shumë se një vit më parë. Aplikimi me 0 dokumente nga 13 të tillë që duhesh më parë dhe krijimi i Agropikave që shërbyen si “one stop shop”, favorizuan dhe nxitën interesin e fermerëve për të aplikuar në skemat e subvencionit për projektet e tyre në sektorin rural, theksoi ministri.

Sipas tij, tashmë është mbyllur edhe aplikimi për skemat e mbështetjes në investime në bujqësi dhe brenda afateve do të shpallen fermerë dhe agropërpunues të tjerë fitues të subvencioneve.

Fondi për Skemat e Mbështetjes në Bujqësi për vitit 2018, u rrit në 20 milionë usd. Ky program mbështet, rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, diversifikimin e aktivitetit ekonomik në zonat rurale, nxitjen e prodhimit vendas dhe produkteve tradicionale si dhe akses në tregjet ndërkombëtare të prodhimit vendas.

Ndërsa lidhur me shkrirjen e 13 drejtorive bujqësore në të gjithë vendin, Ministri Peleshi theksoi se ato e kishin humbur funksionin e tyre, dhe do të zëvendësohen me dy agjenci kryesore, agjencinë e këshillimit dhe atë veterinare, me qëllim rritjen e sigurisë së produkteve bujqësore dhe shtazore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka folur nga qyteti i Korçës, në kuadër të turit të llogaridhënies me qytetarët. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.