ANKARA, 4 maj /ATSH-AFP/ – Partia Republikane e Popullit (CHP), partia kryesore e opozitës në Turqi, përzgjodhi sot deputetin Muharrem Ince për t’u përballur me kreun e shtetit, Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, që do të zhvillohen më 24 qershor.
‘’Me ndihmën e Zotit dhe vullnetin e kombit do të zgjidhem president më 24 qershor’’, u shpreh Ince gjatë një ceremonie në Ankara.
Orator energjik, Ince është shfaqur vitet e fundit si një prej kritikëve më të zjarrtë të Erdoganit.
Lideri i CHP-së, Kemal Kiliçdaroglu njoftoi muajin e kaluar se nuk do të ishte kandidat në zgjedhjet presidenciale të thirrura nga Erdogan.
”Ne do të shkruajmë historinë”, u shpreh ai përpara se të ftonte Ince në podium.
Gjatë fjalimit të parë si kandidat zyrtar i CHP-së, Ince u zotua për të qënë president i të gjithëve dhe i paanshëm nëse do të fitonte./ /v.b/ a.jor.