Paul McCartney i dhuron 60 fotografi të gruas së tij, muzeut të Londrës

TIRANË, 4 Maj/ATSH-ANSA/.- Mbi 60 foto të shkrepura nga gruaja e ndjerë Linda u dhuruan nga Paul McCartney në Muzeun Victoria & Albert në Londër.

Ato janë imazhe që portretizojnë yjet e muzikës, por edhe momente të jetës familjare dhe do të ekspozohen nga tetori në seksionin e ri fotografik të muzeut.

Midis fotografive janë portretet historike të Beatles në vitet e lavdisë, Rolling Stones dhe Jimi Hendrix, por edhe lule, kafshë dhe fotografi të familjes McCartney në pushime.

Linda Eastman, para se të takonte Paul dhe të bëhej këngëtare ka qenë një fotografe profesioniste.

Martin Barnes, kurator i seksionit të fotografisë të Muzeut V & A, shpjegoi se Sir Paul me “dhuratën e tij të madhe” donte ta bënte punën e gruas së tij “më të aksesueshme për publikun”.

Të vendosura në një muze, punët e Linda McCartney hyjnë në fakt në historinë e fotografisë. Eastman, veçanërisht në mes të viteve 1960, eksperimentoi me stile të ndryshme, me lloje të ndryshme të kamerave dhe të stampimit./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.