Haradinaj: Gjermania, të bëhet investitori më i madh në vend

PRISHTINË, 4 Maj/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi sot se “është koha që Gjermania të bëhet investitori më i madh në Kosovë”.

Në fjalën e tij në 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Gjermani-Kosovë, nën moton “Demokracia më e re europiane: Pavarësia, Pluralizmi, Integrimi”, Haradinaj bëri thirrje për rritje të investimeve gjermane në Kosovë.

“Janë dy projekte të cilat japin shpresë, shkolla Loyola në “Prizren, një kualitet gjerman i shkollës, projekt ky i cili vlen t’i jepet përkrahje, për shkak se fëmijët që kryejnë shkollë në këtë gjimnaz janë të gatshëm qoftë të vazhdojnë studimet në këta parametra, apo edhe t’i bashkohen tregut të punës me kualitete të fituara”, theksoi Haradinaj.

Duke folur për përkrahjen e Gjermanisë, kryeministri Haradinaj tha se “Kosova e ka ndjerë këtë përkrahje përmes proceseve rajonale, siç është procesi i Berlinit, WB 6, që për Kosovën është shumë domethënës, pasi në etapa të caktuara është hetuar një tendencë e mos përfshirjes së Kosovës në proceset integruese, duke pasur parasysh faktin e disa vendeve mosnjohëse dhe pengesave të tjera që kanë rezultuar”.

“Ky proces na ka dhënë garancinë se Kosova mbetet në binarë të integrimit europian dhe ne i jemi mirënjohës Gjermanisë, Kancelares Merkel për këtë proces që na bashkon ne të Ballkanit mes vete, por edhe na mban të orientuar drejtë BE-së, që është shumë me rëndësi”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu foli edhe për diasporën shqiptare në Gjermani, të cilët kanë ndjenjë të fuqishme për Gjermaninë, lidhje këto të cilat bëhen më të forta dhe krijojnë detyrim më të madh ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha tha se “Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje”.

“Gjermania për Kosovën është partner shumë i rëndësishëm dhe ndër zërat më të fuqishëm që promovon integrimin evropian të shtetit tonë.“Gjatë 10 viteve të fundit ne kemi kaluar nëpër një tranzicion ekonomik, politik dhe shoqëror, por gjatë këtij udhëtimi ishte një gjë që ne ishim gjithmonë të bashkuar si një vend dhe kjo është perspektiva evropiane”, theksoi Hoxha.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues institucional, të shoqërisë civile dhe personalitete të tjera. Ndërsa nga një fjalë në këtë konferencë e mbajtën ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori Wolfgang Ischinger./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.