FUTBOLL – Steven Gerrard emërohet trajner i “Glasgow Rangers”

LONDËR, 4 maj /ATSH-AFP/ – Legjenda e Liverpool, Steven Gerrard do të bëhet këtë verë trajneri i ekipit të “Glasgow Rangers”, me të cilin ka nënshkruar për katër vite dhe ku do të zhvillojë eksperiencën e tij të parë në pankinën e një klubi profesionist, njoftoi sot ekipi skocez.

“Jam i paduruar që të filloj këtë aventurë të re me Rangers. Ne duam të ndërtojmë duke u bazuar në sukseset që ekipi ka grumbulluar”, – deklaroi anglezi, 37 vjeç.

“Që në fillim, bisedimet kanë qenë shumë pozitive dhe mendojmë se Seteven është personi i duhur për të çuar para Rangers”, – komentoi presidenti i klubit, Dave King.

Mesfushori që ka luajtur 114 ndeshje me ekipin e Anglisë dhe ka kaluar 17 vite tek Liverpool, vari këpucët në gozhdë në vitin 2016, pas një sezoni të fundit tek “Los Angeles Galaxy”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.