TIRANË, 4 maj/ATSH/ – “Atletico Madrid” pas 6 viteve prek sërish finalen e Europa League.
‘Los Colchoneros’ janë finalistët e parë të këtij edicioni, falë fitores 1-0 në “Wanda Metropolitano” ndaj “Arsenalit” në një ndeshje që dhuroi emocione pafund dhe shumë spektakël, nga minuta e parë deri në atë të fundit.
Në gjysmëfinalen e kthimit vendosi gjithçka një gol i Diego Kostës, makthit të “Arsenalit” në gjithë këto vite, me skuadrën e Diego Simeones që kaloi më tej me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Në ndeshjen tjetër “Olympique Marseilles”, pavarësisht fitores 2-0 në ‘Vellodrome’, iu desh të luante për 120 minuta në Austri ndaj “Salzburgut”, për të siguruar finalen e “Europa Leagues”.
Austriakët arritën të fitojnë po 2-0 brenda kohës së rregullt, falë golit të Haidara dhe autogolit të Sarr, të dy në pjesën e dytë të takimit.
“Red Bull Salzburg” i shkoi pranë kualifikimit, pasi edhe në 30 minutat shtesë ishte dominuese, por një gol i Rolandos në minutën e 116′, bëri që të ishin francezët ata që do të kalonin në finale.
Finalja e “Europa Leagues” mes “Marseilles” dhe “Atleticos së Madridit” do të luhet në Francë, në stadiumin e Lyonit, më 16 maj.
/gj.m/ /a.g/