STRASBURG – KiE: Regres në luftën kundër korrupsionit në Rumani, Poloni dhe Greqi

STRASBURG, 3 maj /ATSH-AFP/ – Organi antikorrupsion i Këshillit të Europës, GRECO, shprehu keqardhje për regresin e luftës kundër korrupsionit duke përmendur në mënyrë të veçantë Rumaninë, Poloninë dhe Greqinë, në raportin e tij të përvitshëm, publikuar sot.

“Viti 2017 ka qenë një vit i errët për luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Marin Mrcela, zëvendëspresident i Gjykatës së Lartë të Kroacisë dhe president i grupit të shteteve kundër korrupsionit (GRECO).

“Iniciativat e reja legjislative në disa vende kanë bërë të kundërtën e reformave të ndërmarra më parë për të luftuar më mirë kundër këtij kërcënimi real që thyen sistemin demokratik dhe minon shtetin e së drejtës”, theksoi ai.

Raporti përmend Greqinë, të cilës iu kërkua nga GRECO, në fillim të marsit, realizimi i progreseve të prekshme përsa i përket lufës kundër korrupsionit, por gjithashtu Rumaninë dhe Poloninë, ku reformat e sistemit gjyqësor kanë ngjallur shqetësime dhe kanë rritur frikën për një ndikim negativ në pavarësinë e drejtësisë.

“Polonia dhe Rumania janë bërë objekt i procedurave të vlerësimit, të ndërmarra në rrethana të jashtëzakonshme nga GRECO”, shton raporti./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.