Kosova anëtarësohet në COST

PRISHTINË, 3 maj/ATSH/.- Bordi Drejtues i Programit të Bashkëpunimit Europian në Shkencë dhe Teknologji (COST), vendosi përfshirjen e Kosovës në këtë program të rëndësishëm europian, si një vend i afërt i COST-it.

Ky lajm i mirë për kërkuesit kosovarë i është komunikuar ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, nga presidenti i Shoqatës së COST, Sierd Cloetingh.

Përmes një letre Cloetingh e ka uruar ministrin dhe kërkuesit në Kosovë, të cilët i ka inkurajuar të vazhdojnë të angazhohen në veprimet e COST-it.

“Si një vend i afërt i COST, kërkuesit nga Kosova kanë të drejtë të rimbursohen për pjesëmarrjen e tyre në veprimet e COST-it, sipas rregullave ekzistuese të COST-it”, thuhet në letrën e Cloetingh.

Presidenti Cloetingh shprehu dëshirën për të mirëpritur së shpejti kërkuesit  kosovarë në Programin e Bashkëpunimit Europian në Shkencë dhe Teknologji.

Anëtarësimi i Kosovës në COST, veç të tjerash, hap mundësi të bashkëpunimit të shkencëtarëve kosovarë me shkencëtarë të fushave të ndryshme dhe është një mundësi e mirë për përfitimin e fondeve për kërkime të ndryshme shkencore./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.