KE certifikoi reformat tona, opozita vazhdon përbaltjen

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155779330841523/

TIRANË, 3 maj/ATSH-Maela Marini/ – “Llogaridhënia publike vjen si domosdoshmëri, pasi ne nuk qeverisim përballë një opozite që sjell alternativa, ide dhe që ka një program në mbrojtje të interesave të qytetarëve”.

Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, duke argumentuar domosdoshmërinë e zhvillimit të fushatës së llogaridhënies publike.

Në një vend ku demokracia funksionon, sipas tij, duhet të kishim një shumicë qeverisëse dhe një opozitë që i kërkon llogari në Kuvend.

“Ne nuk na kërkohet llogari por thjesht na hidhen gurë, topa balte dhe gjithë farë lloj llozhrash të mbledhura në gjithë hapësirën e dëshpërimit të kësaj opozite”, – tha Rama.

Ai siguroi se fushata e llogaridhënies do të jetë një konstante e fundit të çdo viti të këtij mandati, sepse kemi marrë përsipër të qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit.

“Ne kemi kërkuar një mandat për të punuar në drejtimin e vendit, pa qenë të shoqëruar nga askush dhe për të qeverisur në një koalicion me njerëzit. Fushata e llogaridhënies është e rëndësishme edhe për faktin se ne duhet të jemi sa më shumë drejtpërdrejtë dhe sy më sy duke komunikuar me njerëzit, pa lejuar që këtë komunikim ta zotërojnë agjentët e mjerimit, të gjithë ata që me mandat politik apo me kanale mediatike në dispozicion bëjnë deformimin, shtrembërimin dhe manipulimin e të vërtetave tona”, – tha Rama.

Problemi ynë, tha Kryeministri, është si të bëjmë më shumë në kushtet kur nuk kemi opozitë me vizion, program, ide dhe që të vijë e përgatitur për të të goditur aty ku të dhemb dhe të prekë interesin e njerëzve.

“Është shumë e më e vështirë, por është edhe motivuese qeverisja me një opozitë të tillë. Por ne kemi përballë një opozitë që vizion ka baltën, program dyqanin e çizmeve dhe të miellit dhe ide ka kush gjuan më fort dhe shan me zë më të lartë”.

Duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve për Shqipërinë, Kryeministri u shpreh se “nuk ka qenë e largët dita kur raportet e BE-së kishin në faqet e tyre emra dhe mbiemra konkretë dhe jo fenomene”.

“Kryetari vulëhumbur i kësaj opozite ka qenë me emër e mbiemër në raportin e progresit, jo si hero, por si pengesë për progresin. Një tjetër kryetar ka qenë me emër dhe mbiemër jo si një dëshmor i progresit, por si një pengesë e progresit”, – tha Rama.

Sot, sipas tij, ne kemi një raport progresi të KE-së që nuk është vetëm një raport i radhës, por mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë pa kushte.

“E arritëm këtë jo vetëm duke luftuar për progresin, por edhe për të kapërcyer çdo ditë kodrat dhe malet me baltë, që kjo opozitë eksporton në zyrat europiane ku flitet për Shqipërinë”, – tha Rama.

Kryeministri replikoi po ashtu me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho i cili deklaroi se “Gjermania ka thënë se nuk ka të ardhme për Shqipërinë pa u futur në burg Sajmir Tahirin”.

“Pjesa e vetme e diskutimit në komisionin e Bundestagut për të shpjeguar lidhur me Shqipërinë ishte pjesa ku gjermanisht unë dëgjova ato që kemi dëgjuar këtu shqip 4 vjet”, – tha Rama.

Sa i takon progres raportit të KE-së, ai theksoi se “ne morëm një dëftesë që asnjë nuk e konteston dot, sepse KE është një makineri analizash dhe gjykimesh jo mbi llafe dhe broçkulla dhe mbi tymin e ngritur përditë mbi kokat e shqiptarëve për interesa mizerabël politike, por gjykon objektivisht çfarë u bë, dhe çfarë duhet bërë më tutje”.

“Me këtë dëftesë në dorë Shqipëria sot është në një pozicion që nuk ishte dhe provon se nuk ka lidhje me çfarë thonë këta. Dhe shqiptarët që i njohin mirë këta nuk rrëmbehen si normalisht një deputet i huaj kur gjendet përpara asaj balte, se shqiptarët i kanë provuar të gjithë me radhë, njërën palë e kanë provuar për vite të tëra; palën tjetër në dy ‘martesa’ edhe me njërin, edhe me tjetrin, por shqiptarët kanë vendosur: janë ata që janë, i kemi dhe do t’i mbajmë, por këtu ku janë, gjithmonë e më pak të besueshëm e të dëgjueshëm”, – tha Rama.

Problemi ynë nuk është opozita, shtoi Kryeministri duke theksuar se “për këta rron 1 mijë vjet në pushtet PS”.

Për ne njerëzit janë arsyeja përse jemi këtu. Në 6 muaj, ne kemi marrë rekomandimin pozitiv, kemi vënë përfundimisht në lëvizje Vetting-un e shumëpritur dhe të penguar nga opozita. Këto janë dy momente madhore të së ardhmes së vendit”, – tha Kryeministri.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.