97% e shqiptarëve paguajnë sot më pak taksa

TIRANË, 3 maj/ATSH-Maela Marini/ – “97 % e shqiptarëve paguajnë sot më pak taksa, ndërsa kjo qeveri ka rritur vetëm dy taksa, taksën progresive dhe taksën e karburantit”.

Kështu deklaroi të enjten Kryeministri Edi Rama, gjatë seancës plenare, ndërsa shtoi se në fushatën e llogaridhënies publike del detyrim sqarimi i çdo qytetari, se nuk ka pasur rritje të taksave në vend.

“Cilat taksa janë rritur? Ne duhet me durim t’ua sqarojmë dhe të kuptojmë se kush ankohen. Ankohen ata që s’kanë paguar kurrë taksa dhe ngatërrojnë pagesat e dritave dhe ujit me taksat, apo ata që sot paguajnë një taksë që dje nuk e paguanin”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se ka edhe të tjerë që nuk bëjnë dallimin mes taksave kombëtare dhe tarifave vendore.

“Dy taksa kemi rritur ne, duke përjashtuar atë të duhanit që nuk e konsideroj fare, sepse e kemi taksë shumë të thjesht: lër duhanin dhe e kemi zero. Kemi rritur taksën për të pasurit, kompani apo njerëz që fitojnë më shumë dhe këtë e kemi rritur konform programit dhe filozofisë tonë. Nga 10 % që e kishin kompanitë dhe kryeministri dje kjo taksë është bërë 15%, ose më lart. Kemi bërë rritjen progresive të taksave, për ata që fitojnë më shumë”, theksoi Rama.

Por sipas tij, 97 % e shqiptarëve paguajnë më pak taksa.

Po ashtu, Kreu i Qeverisë informoi se është rritur edhe taksa e karburantit, sepse në shtatorin e 2013 kemi marrë në dorë një vend në buzë të greminës dhe në prag të zjarrit.

“Saliu nuk gënjente kur thoshte: prisni se ju pret skenari i Greqisë. Sollëm FMN-në që na e tha shumë qartë të ulnim rrogat dhe pensionet sepse nuk do të kishim mundësi t’ i paguanim. Ne nuk pranuam t’i ulnim, por vendosëm një taksë për konsumatorët e karburantit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “shqiptarët nxjerrin sot nga xhepi më pak se ajo që nxirrnin më parë për karburantin, për shkak të çmimit të lartë botëror që ishte atëherë”.

Ndërkohë që sipas tij, sot janë 100 mijë dollarë çdo vit që arkëtohen në buxhetin e shtetit nga taksa e karburantit.

Po ashtu, kryeministri theksoi se kjo qeveri i rriti rrogat më shumë se PD në 8 vite.

“I kemi rritur rrogat. Paguan më pak taksa sot një mësuese dhe një infermiere se dje dhe i ka më të larta rrogat se dje”, shtoi ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.