Rritet numri i të punësuarve të dalë nga ndihma ekonomike

TIRANË, 2 maj/ATSH/ – Mbi 10 mijë familje kanë përfituar nga skema e re ekonomike.

Duke u ndalur te skema e re ekonomike gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Tiranës në kuadër të llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama  theksoi se nga pastrimi i kësaj skeme nga abuzimet në të kaluarën, 10 mijë familje kanë përfituar ndihmë ekonomike.

“Shumëkush na kritikoi lidhur me ndihmën ekonomike. Unë besoj se ka qenë një nga vendimet më të vështira dhe më të drejta që kemi marrë për të nxjerrë njerëzit nga një stad paralize dhe për t’ju dhënë atyre jo vetëm mundësinë, por të gjitha zgjidhjet e nevojshme. Dhe qysh prej reformës së ndihmës ekonomike, që të gjithë flasim për ata të cilët dalin nga skema ekonomike, por pak duan të dëgjojnë ku janë rreth 10 mijë familje të cilat janë futur në skemë, ku deri dje nuk mund ta merrnin atë për shkak të abuzimeve.

Kryeministri Rama u shpreh se ata të cilët janë të paaftë për punë duhet të kenë mbështetjen e shoqërisë, ndërsa ata të cilët refuzojnë punën nuk duhet ta përfitojnë atë.

Ne kemi një rritje të ndjeshme të numrit të të punësuarve që vijnë nga familjet të cilat mbaheshin me ndihmë ekonomike. Dhe nga ana tjetër besoj se është e padrejtë që shoqëria të paguajë taksa për ata të cilët nuk duan të punojnë, çdokush që është i paaftë fizikisht dhe jo i aftë për punë është detyrimi i shoqërisë që t’i japë ndihmë ekonomike, por nëse dikush i aftë fizikisht kur shteti i ofron punë dhe ai e refuzon punën, shoqëria nuk ka detyrim ta mbajë atë me ndihmë ekonomike. Kemi një rritje të interesimit për formimin profesional.”/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.