Rënia e euros në këmbim me lekun, Sejko: Efekt neutral në ekonomi

TIRANË, 2 maj /ATSH/- Këmbimi i euros me lekun është në nivelin më të ulët historik të këtyre 10 viteve të fundit, ka një efekt neutral në ekonominë e vendit dhe nuk ka ndikuar as në uljen e nivelit të depozitave në euro dhe as në rënien e normave të interesit të valutës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot në konferencën e përmuajshme për median se, Banka e Shqipërisë ka insistuar se strategjia e saj për stimulimin e përdorimit të monedhës vendase nuk ka asnjë efekt psikologjik dhe se agjentët ekonomikë nuk duhet të veprojnë nën panikun e luhatjeve të kursit për të konvertuar eurot në lekë.

“Faktikisht kjo strategji është e lidhur me disa norma mbi bazën e rezervës së detyrueshme që aplikohen vetëm në tregun bankar. Nga të dhënat që kemi ne, niveli i depozitave në euro nuk ka ndryshuar përkundrazi është rritur. Nëse ka një shprehje në rënie të këtyre depozitave është nga mbiçmimi i lekut. S’kemi as rënie të depozitave as normave. Strategjia e përdorimit të monedhës vendase kemi vlerësuar të ketë një efekt neutral. Parashikimet janë për një efekt në ulje e pozicioneve të monedhës së huaj 3-5 vite. Nëse kemi një efekt psikologjik vjen nga tregu dhe nga zhurma e krijuar. Kemi flukse të larta hyrëse dhe faktorë fondamentalë që ne i kemi shpjeguar”, – deklaroi Sejko.

Guvernatori i bëri apel biznesit të mos ndërmarrin konvertime të nxitur nga luhatjet e kursit. “Çdo ndikim psikologjik ose i faktorëve të ndryshëm është gjithmonë i përkohshëm, pra kalimtar” – tha Sejko.

Sejko shpjegoi se, këmbimin valutor e dikton kërkesë-oferta, por gjithsesi tha ai, “nëse kemi një mbiçmim nga faktorët fondamentalë, tregon një nivel të ri të ekonomisë. Por nëse kemi një mbiçmim më të lartë se faktorët fondamentalë ne pastaj shohim stabilitetin e çmimeve dhe do reagonim në përputhje me regjimin. Po monitorojmë kursin në mënyre ditore duke përcaktuar ecurinë”, – deklaroi Guvernatori.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, një euro u këmbye të martën me 127.92 lekë, me një nënçmim prej 0.82 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia e dytë më e lartë ditore që prej 21 marsit dhe është jashtë tendencës normale, duke treguar për lëvizje të mëdha në treg. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.