Agjencia Telegrafike Shqiptare

Platforma e bashkëqeverisjes, instrumenti që garanton të drejtat e çdo individi

TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ – Platforma e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al është instrumenti i sigurt që garanton të drejtat e çdo individi.

Kështu deklaroi të mërkurën kryeministri Edi Rama, ndërsa bëri thirrje, “që të gjithë ta përdorin platformën dhe të mos humbasin kohë duke kërkuar miq e rrugë për të paguar për hallin që duan të zgjidhin”.

Ne jemi në një fazë kur ka jashtëzakonisht shumë akoma për të bërë, nënvizoi Kryeministri.

Por, sipas tij “nuk duhet harruar se në raport me Shqipërinë që duam jemi ende larg, por në raport me atë që kishim kemi të gjitha arsyet të jemi krenarë dhe optimist”.

“Kemi realizuar një objektiv madhor dhe kemi materializuar një qëllim madhor, marrjen e rekomandimit pozitiv pa kushte nga KE për çeljen e negociatave. Shumëkush mund të bëjë komente që ngrenë pikëpyetje të ndryshme, apo mund të krijojnë idenë që kjo ka qenë një gjë e lehtë. Jo, kjo ka qenë një gjë e vështirë që është realizuar falë reformave dhe punës së jashtëzakonshme që ne kemi bërë, sepse KE nuk është institucion që bën gjeste bujarie, apo merr vendime strikte politike, por vlerëson vetëm faktet dhe shifrat e progresit në çdo aspekt dhe bëhet fjalë për vlerësime objektive për të cilat është e angazhuar një makineri e tërë ekspertësh dhe analistësh”, theksoi Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version