Në sitën e vettingut 57 gjyqtarë e prokurorë, gati për hetim edhe drejtuesit e tyre

TIRANE, 2 Maj/ATSH/- 57 gjyqtarë dhe prokurorë  në ditët në vijim do t’i nënshtrohen procesit të vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit por edhe kryetarë të gjykatave dhe prokurorisë janë gati për t’u hetuar.

Kështu deklaroi zv.ministri i Drejtësisë Toni Gogu,  gjatë nismës ‘Llogaridhënia Publike e Qeverisë” mbajtur në Tiranë, nga ku foli për reformën në drejtësi dhe rezultatet e shënuara deri tani nga procesi i vettingut.

“Dje një klikë gjyqtarësh të korruptuar kishin flakur çekiçin e padrejtësisë dhe kishin  rrëmbyer kandarin e bllokonin çdo përpjekje të sinqertë nga brenda radhëve për t’u reformuar duke mbajtur peng të ardhmen e një kombi. Sot po sprovohemi me terapinë radikale dhe të dhimbshme të pastrimit të sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Ai shtoi se çdo reformë e sinqertë është e dhimbshme por e domosdoshme për t’u rikthyer shqiptarëve themelin dhe besimin e munguar në sistemin e drejtësisë.

“Kur drejtësia bëhet dhe ligësia ndëshkohet, të gjithëve na bëhet zemra mal dhe e nesërmja kështu do të vijë. Nesër kur pavarësia e sistemit të drejtësisë nuk do  të përkthehet më me pandëshkueshmërinë,  kur në listën e drejtësisë nuk do jenë rryshfeti dhe paanshmëria, do shohim drejtësinë që rrjedh si lumë dhe e nesërmja të lindë nga perëndimi”, deklaroi zv.ministri i Drejtësisë./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.