FOTO/ Shkallaret e Sarandës, një mozaik i bukur në qytetin bregdetar

249

TIRANË, 2 maj/ATSH/- Shkallaret e Sarandës po i nënshtrohen rehabilitimit në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.

Pjesë e një programi ambicioz investimesh prej 13 milionë euro, që do të zbatohen në këtë bashki nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, shkallaret janë objekti i parë në të cilin ka nisur puna në dhjetor 2017.

FSHZH bën të ditur se po rikonstruktohen nga e para 4 arteriet komunikuese, të cilat formojnë një mozaik të bukur në një sipërfaqe 5200 m², duke kombinuar gurin e bardhë me qeramikën.

Pjesë e punimeve janë edhe ndërhyrjet në rrjetin elektrik dhe sistemin e kanalizimeve (400 metra linearë), arredimi urban dhe gjelbërimi.

Në muajt në vijim ky investim do të pasohet nga një tjetër ndërhyrje për Rigjenerimin Urban të Shëtitores “Naim Frashëri”, që parashikon rehabilitimin e 12.700 m2 sipërfaqe.
Këto ndërhyrje kanë për qëllim ridimensionimin e vlerave të qytetit, përmirësimin e peizazhit urban dhe forcimin e identitetit turistik të qytetit të Sarandës.

Qyteti i Sarandës e ka origjinën në shekullin VI para erës sonë, por qyteti filloi të merte formën e tij në vitin 1930, kur filloi të zbatohej plani i parë urban. Masterplani i parë i qytetit të Sarandës u hartua nga një arkitekt austriak gjatë sundimit të Zogut I.

Vizioni kryesor i këtij masterplani ishte krijimi i një qyteti port , në harmoni me peizazhin rrethues. Me kalimin e viteve plani austriak u pasua nga ai italian gjatë pushtimit të Shqipërisë, si dhe nga shumë plane të tjera gjatë regjimit komunist (1960,1976, 1982).

Ky qytet, cili ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i pasqyrave, i Ksamilit, etj, ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.