FOTO/ Rama: Puna s’vjen në shtëpi, vende të lira në çdo sipërmarrje

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155774139566523/

TIRANË, 1 maj/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zgjodhi të jepte një mesazh shumë të qartë në ditën e punëtorëve në lidhje me punësimin, duke apeluar se duhet kthyer vëmendja edhe nga sipërmarrjet private dhe jo vetëm në punët që ofrohen në shtet.

Gjatë vizitës së tij në Panairin Kombëtar të Punës, ai u ndal tek përfaqësuesit e kompanive që ofrojnë vende pune, duke i pyetur rreth vendeve të punës, numrit të punonjësve dhe pozicionet përkatëse të kërkuara.

Gjatë bashkëbisedimit të tij me përfaqësuesin e Federatës së Vrojtimit të Detit, ky i fundit tha se “janë rreth 3500 stacione plazhi që ushtrojnë veprimtarinë, subjekte që ushtrojnë veprimtari dhe të gjithë këto kanë një detyrim ligjor që të marrin një vrojtues plazhi. Kuptohet që jo vetëm rritet siguria, por edhe nuk e kemi plotësuar numrin. Ne kemi nevojë për njerëz që të shtojmë stafin tonë jo vetëm për vrojtues plazhi”.

Çelja e vendeve të reja të punës është reale, tha Rama dhe sipas tij, këtë e konfirmojnë kompanitë.

“Po financojmë edhe kurset profesionale për ata që dalin nga ndihma ekonomike apo për ata që kanë nevojë për formim profesional me një pagë që është me e lartë se mesatarja e ndihmës ekonomike. Faktikisht në të gjitha sipërmarrjet e Shqipërisë ka vende pune. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se puna nuk vjen në shtëpi”, – tha Rama.

Më tej, ai theksoi se kur vjen puna te pagat, sipas tij, duhet të rriten, por së pari duhet të rritet ekonomia.

“Të ndajmë këtë vijë, të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizje që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat. Kur vjen puna te pagat, duhet të rriten, por duhet të rritet dhe që ekonomia të rritet, duhet të punojmë shumë fort të gjithë së bashku”, – deklaroi Kryeministri.

“Këtu në këtë panair ka edhe paga të ulëta, por ka edhe paga mesatare e të larta. Ka banka që kërkojnë punonjës, kompani të mëdha që kërkojnë menaxherë. Jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, por duhet të luftojmë të gjithë së bashku me një psikologji të rëndë të trashëguar me mirë me një punë shtet”, – përfundoi Rama.

Në Panairin Kombëtar të Punës për Tiranë, janë rreth 5 mijë vende të lira pune që ofrohen nga kompani të ndryshme, ku 3 mijë prej tyre janë të përhershme dhe 2 mijë janë sezonale. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.