Bashkia e Tiranës 120 vende pune në projektin shkollat Qendër Komunitare

TIRANË, 1 maj /ATSH/ – Projekti i nisur së fundmi nga bashkia e Tiranës për kthimin e shkollave si qendra komunitare pas orarit të mësimit, ka gjeneruar në kryeqytet edhe rreth 120 vende të reja pune.

I pranishëm në Panairin e Punës sëbashku me Kryeministrin Edi Rama, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se bashkia e Tiranës ofron 60 vende të reja pune për sanitare dhe 62 vende të tjera për administratorë, që do të kujdesen për shkollat dhe palestrat gjatë ditës.

“Me sistemin e ri tashmë me Ministrinë e Arsimit hapëm 62 palestra. Do të thotë që do të kemi dhe 62 sanitare dhe do të kemi edhe 60 administratorë. Tani që janë hapur deri vonë në darkë për këto kurset sportive, ka ecur goxha mirë. Filluam te “Shkolla e Kuqe”, kishim 120 fëmijë që u regjistruan ditën e parë dhe pothuajse të gjithë klubet kanë marrë një basketboll, një xhudo, një taekwondo, një hendboll, një volejboll pothuajse kemi kapur 90 % javën e parë të regjistrimit të fëmijëve te klasat sportive”, – u shpreh Veliaj. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.