LONDËR – Sajid Javid merr postin e ministrit të Brendshëm

LONDËR, 30 prill /ATSH-AFP/ – Ministri britanik për Komunitetet, Sajid Javid u emërua sot ministër i Brendshëm duke zëvendësuar Amber Rudd, e cila dha dorëheqjen një ditë më parë për shkak të skandalit të nxitur nga mënyra e trajtimit të imigrantëve me origjinë nga Karaibet, njoftoi Downing Street.

Amber Rudd, 54 vjeçe, dha dorëheqjen të dielën pasi pranoi se ka mashtruar në mënyrë të paqëllimtë një komision parlamentar në lidhje me migrantët e paligjshëm.

Kryeministrja britanike, Theresa May pranoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Amber Rudd, lidhur me skandalin e kuotave të migrantëve, njoftoi Downing Street.

Gjatë ditëve të fundit ishte rritur presioni për dorëheqjen e Amber Rudd, në kuadër të skandalit me të drejtat e mohuara migrantëve nga Karaibet si edhe të kuotave vjetore të dëbimeve, një praktikë për të cilën ajo kishte deklaruar në parlament se nuk ishte në dijeni, çka ishte përgënjeshtruar nga një memo.

Më pas, Rudd kishte kërkuar ndjesë, që nuk ishte pranuar nga opozita laburiste.

Qeveria konservatore britanike ishte përpjekur ta ruante ministren, për të mos humbur kështu edhe një tjetër figurë të rëndësishme të saj. Por, sot, kryeministrja May pranoi dorëheqjen e saj./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.