FRANCË – Macron dhe Putin mbështesin marrëveshjen për programin bërthamor iranian

PARIS, 30 prill /ATSH-AFP/ – Presidentët rus, Vladimir Putin dhe francez, Emmanuel Macron mbështetën sot marrëveshjen aktuale për programin bërthamor iranin, por me mosmarrëveshje.

Presidenti rus kërkoi një aplikim strikt, ndërkohë që presidenti francez kërkoi diskutime për një marrëveshje të re më të zgjeruar, 13 ditë nga vendimi amerikan.

Presidenti francez, Emmanuel Macron i telefonoi presidentit rus, Vladimir Putin për ta informuar për takimet javën e fundit në SHBA me presidentin, Donald Trump, një telefonatë për të cilën Kremlini dhe Elyseja japin versione pak të ndryshme.

Sipas Kremlinit, presidentët rus dhe francez u shprehën pro mbajtjes dhe aplikimit strikt të marrëveshjes së vitit 2015.

Elyseja theksoi se edhe pse Putin dhe Macron kanë rënë dakord për të ruajtur arritjet e marrëveshjes së vitit 2015, presidenti francez ka shprehur vullnetin që diskutimet të hapen, në bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, fuqitë europiane dhe rajonale, për kontrollin e aktivitetit bërthamor pas vitit 2025, programin balistik të Iranit si dhe situatën në Siri dhe Jemen.

Ky negocim për një marrëveshje të re më të gjerë është zgjidhja që Emmanuel Macron i propozoi javën e kaluar, Donald Trumpit gjatë vizitës së tij në Uashington./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.