ATHINË, 30 prill /ATSH-AFP/ – Ekonomia greke është gati të rimëkëmbet pas një krize të thellë, por vendi duhet të vazhdojë reformat për të kthyer faqen e krizës, theksoi sot në Athinë sekretari i përgjithshëm i OCDE-së, Angel Gurria.
Në studimin e saj të përvitshëm për ekonominë greke paraqitur nga Gurria, OCDE parashikon një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 2% në 2018 dhe 2,3% në 2019.
Vendi iu rikthye rritjes ekonomike në 2017 (1,4%) pas nëntë viteve të recesionit të thellë si pasojë e krizës së borxhit.
“Greqia ka bërë një përpjekje të madhe për stabilizimin buxhetor dhe programin më ambicioz të reformave që kemi parë këto vitet e fundit”, nënvizoi Gurria pas një takimi me kryeministrin, Aleksis Cipras dhe ministrin e Financave, Euclide Tsakalotos.
“Ne nuk flasim më për Grexit, por për “exit” (dalje) nga programet e kredive ndërkombëtare”, theksoi ai duke përshëndetur Ciprasin në një konferencë të përbashkët shtypi.
Por, vendi ka përpara një sërë sfidash”, theksoi ai duke përmendur përmirësimin e qendrueshmërisë së vendit, stimulimin e investimeve, që ka rënë me më shumë se 50% që prej fillimit të krizës në vitin 2010 dhe luftën kundër varfërisë, veçanërisht tek të rinjtë dhe fëmijët.
“Niveli i papunësisë, më i larti në zonën euro, do të reduktohet në mënyrë progresive, por do të vazhdojë të mbetet i lartë, me 20,4% në 2018 dhe 19,4% në 2019”, theksoi OCDE.
“Kreditorët e vendit duhet ta trajtojnë çështjen e borxhit, Greqia ka fituar të drejtën e një ndihme”, nënvizoi ai, ndërkohë që shkalla dhe kushtet e këtij ristrukturimi janë në qendër të diskutimeve të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar./
/ec/
