Arsimi u kushton shqiptarëve më shumë se çdo gjë tjetër

TIRANE, 28 Prill/ATSH/- Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me maturantë të kryeqytetit për të diskutuar lidhur me problematikat që ata përballën.

“LSI vlerëson dhe beson te arsimi, sepse është shumë e rëndësishme për një komb dhe rininë e tij që të jetë e ditur.  Arsimi u kushton sot shqiptarëve më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se nga statistikat e fundit del që arsimi në Shqipëri u kushton katër herë më shumë shqiptarëve se sa i kushton një bashkëmoshatari tjetër në rajon dhe dy herë më shumë se sa një bashkëmoshatari në Europë duke pasur parasysh të ardhurat për frymë.

“Pra të hyjmë në analizën e arsimit është një debat që politika shqiptare duhet të fokusohet totalisht në këtë drejtim, sepse nëse ne nuk do të kemi një arsim të mirë, nuk do të kemi sistem taksash për shqiptarët, por do të kemi një sistem taksash i cili do të shërbejë për ti varfëruar shqiptarët për ti rrjepur ata, dhe për të pasuruar dy apo tre veta. Nëse ne nuk do të kemi një arsim të mirë, do të kemi mjek e infermierë të pakualifikuar, të cilët shpëtimin e tyre do ta gjejnë duke u vendosur gjoba të sëmurëve”, tha ajo.

“ Sot Shqipëria më shumë se kurrë unë mendoj që ka të nevojshme një rini aktive, një rini e cila e shikon të ardhmen në vendin e vetë dhe një rini e cila pret që çdo ditë e më shumë jo vetëm na ana profesionale dhe nga ana e karrierës së saj por mbi të gjitha pret që të ndërtojë ëndrrat e veta dhe të ardhmen e saj në vendin e vet”, deklaroi Kryemadhi./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.