Transformimi i Tiranës, histori suksesi në takimin e Fondacionit Irlandez të Arkitekturës

TIRANË, 27 prill/ATSH/- Ndryshimi që ka pësuar Tirana në tre vitet e fundit është pritur si histori suksesi edhe në takimin e arkitektëve irlandezë, i mbajtur dje në Dublin.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, ishte i ftuar në takimin e përvitshëm të Fondacionit Irlandez të Arkitekturës me temë “New Now Next”, për të prezantuar projektet që transformuan Tiranën dhe punën e bërë në tre vitet e fundit. Sheshi “Skënderbej”, “Pazari i Ri” apo “Bulevardi i Ri”, ishin disa nga projektet për të cilat arkitektët irlandezë shfaqën interes, kurse Veliaj theksoi se ndryshimi i nisur në Tiranë do të vazhdojë me disa projekte të tjera si rigjallërimi i “Piramidës”.

Veliaj theksoi se tashmë një sërë projektesh arkitekturore të realizuara në këto vite në Tiranë, janë shndërruar në pasaporta prezantuese të kryeqytetit në shumë takime dhe forume ndërkombëtare. “Sot tregojmë histori suksesi sheshin ‘Skënderbej’, ‘Pazarin e Ri’, këndin e lodrave te Liqeni, ‘Bulevardin e Ri’, që gjithashtu filluan me histori sherresh, por sot janë bërë kartolina jonë. Le të vazhdojmë me kartolina të tilla, le të vijojmë transformimin e qytetit tonë”, – u shpreh ai.

Kryebashkiaku shtoi se suksesi në transformimin që ka shënuar Tirana merr një rëndësi të veçantë për faktin se ai vjen si rrjedhojë e një pune dhe kontributi të të gjithë qytetarëve.

Sipas tij, një meritë të madhe për gjithë këtë histori suksesi i takon qytetarëve të Tiranës, të cilët në shumicën e tyre kanë mirëpritur dhe mbështetur nismat e bashkisë.

Gjatë qëndrimit në Dublin, Veliaj u prit në një takim të veçantë edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, me të cilin diskutoi mbi shtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy kryeqyteteve, ndërsa theksoi bindjen se Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

“Pata kënaqësinë e veçantë të takoja ministrin e Jashtëm, zv/kryeministrin e Irlandës, mbështetës të flaktë të negociatave të hapura me Shqipërinë për integrimin në BE. Shqipërisë i duhet çdo mik, Tiranës i duhet çdo mik, dhe më vjen mirë që Irlanda, një histori suksesi se si një ekonomi totalisht rurale, me një emigracion shumë të madh, kryesisht në SHBA dhe në Angli, shumë e ngjashme me Shqipërinë, u bë një histori suksesi falë përkushtimit në integrimin në Bashkimin Europian. Shembulli i Irlandës apo i Dublinit, që ashtu si Tirana është shtëpia e 1/3 së popullsisë dhe 50% e ekonomisë së vendit, mund të jetë motor i zhvillimit dhe integrimit të vendit. Kemi nevojë dhe i meritojmë këto negociata, si mënyrë për të dëshmuar vokacionin tonë europian dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta zhvillimi”, – tha Veliaj.

“New Now Next” është një program i hartuar nga Fondacioni Irlandez i Arkitekturës (IAF) dhe i mbështetur nga Arup, me qëllim shpërndarjen e ideve të reja, në lidhje me çështjet bashkëkohore që mund të ndikojnë në gjeneratën tjetër. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.