Sot shumë më tepër biznese të vogla se përpara 4 viteve

TIRANË, 27 prill/ATSH/ – Në takimin me biznesin e vogël, Kryeministri Edi Rama u shpreh se, sot kemi shumë më tepër biznese të vogla se ç’kishim përpara 4 viteve.

“Biznese mbyllen dhe hapen kjo ndodh gjithmonë. Sot kemi më shumë biznese apo më pak së 4 vite më parë. Sot kemi më shumë. Sot kemi më shumë konsum apo më pak konsum. Sot kemi më shumë konsum”, – tha Rama.

Sa i përket protestës së bizneseve të vogla, Rama tha se, “protestën vazhdojeni, por është e dështuar sepse shumica e bizneseve të vogla e dinë për çfarë flitet dhe nuk i hajnë këto histori. Të mbyllësh qepena në tregjet bashkiake që s’kanë lidhje fare me TVSH-në është kollaj. Por ata s’kanë lidhje me TVSH-në”.

Sa i përket rritjes së taksave, Rama u shpreh se, “e vërteta është që kjo qeveri nuk ka rritur taksa, vetëm dy, po më gjete të tretën hajde flasim. Pastaj çmimet nuk janë taksa. Çmimi i energjisë nuk është taksë. Taksën e pronës nuk e kemi rritur, nuk është më me m2, thjesht secili paguan për vlerën e pronës që ka”.

Lidhur me taksat e bashkisë, Kryeministri e pranoi se, “tek tarifat vendore ka pasur rritje. Por edhe bashkitë kanë arsyet e tyre. Megjithatë sa i takon kësaj qeverie, kjo qeveri nuk ka rritur asnjë taksë. Tek të punësuarit tuaj, tek pagat taksat janë ulur”.

Lidhur me kontrollet e inspektorëve të tatimeve, Rama iu drejtua bizneseve se, “… nëse keni njëherë problem me inspektorët dhe mënyrën si sillen, unë kam 10 herë. Nëse jeni një herë të fyer, unë jam 10 herë se është fytyra e shtetit, por ilaçin e keni në dorë. Doni t’i vini në rresht të vijnë aty dhe të kujdesen për çdo fjalë që thonë? Platforma shqipëriaqëduam.al është si ajo spruco që i ngordh të gjithë mushkonjat, por duhet ta përdorësh. Ose bëjeni, ose mos u ankoni se s’do i shkoj unë, apo ministri, apo drejtorja të gjithë punonjësve nga pas. Se kjo është administrata, janë mësuar ashtu dhe atë punë bëjnë. Sa i përket kontrolleve mund të ketë raste abuzimi. Por kontrollet janë të sistemuara nga Drejtoria e Përgjithshme. Për faktin që vijnë disa agjenci jemi duke e ndërtuar që të vijë një kontroll për të gjitha”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.