SOFJE – Moscovici: Anëtarësimi i Bullgarisë në zonën euro jo i shpejtuar

SOFJE, 27 prill /ATSH-AFP/ – Pranimi i mundshëm i Bullgarisë në zonën euro duhet të përgatitet “me strategji” dhe “pa precipitime”, konfirmoi sot komisioneri europian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, në përgjigje të qëllimit të Sofjes për të filluar procedurën për miratimin e monedhës unike.

“Bullgaria do të jetë anëtarja e ardhshme e zonës euro dhe kjo nuk përbën asnjë dyshim. Por, ne duhet ta përgatisim këtë me strategji dhe kujdes”, deklaroi Moscovici pas mbërritjes në një takim të ministrave të Financave të zonës euro në Sofje.

“Ne nuk kemi nevojë të shpejtojmë, sepse nëse ne shpejtojmë krijojmë një anëtarësim në euro që nuk do të jetë perfekt”, shtoi ai.

Ai citoi shembullin e Greqisë që u bë shumë shpejt pjesë e zonës euro, pa përgatitje të mjaftueshme ashtu si e vuri në dukje kriza që lidhej me borxhin e madh.

Bullgaria, që mban deri në korrik presidencën e radhës të Bashkimit Europian, njoftoi dje qëllimin për të filluar procedurën që do t’i mundësojë miratimin e monedhës unike./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.