Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëri-Francë, bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit

TIRANË, 27 prill /ATSH/- Gjatë qëndrimit në Paris, pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare mbi luftën kundër financimit të organizatave terroriste “No Money for Terror”, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pati mundësinë që të takohej e të bisedonte me homologun francez, ministrin Gérard Collomb.
Ministri i Brendshëm francez shprehu sërish kënaqësinë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe autoriteteve policore në fushën e sigurisë dhe punëve të brendshme dhe veçanërisht në arritjet pozitive të muajve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e kufijve dhe migracionit të parregullt.
Nga ana e tij, ministri Xhafaj shprehu vlerësim të veçantë për inkurajimin e autoriteteve më të larta franceze në këtë drejtim dhe veçanërisht për vlerësimet pozitive të bëra publike nga ministri Collomb.
Gjithashtu, të dy ministrat ndanë mendime rreth procesit të integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht pas raportit të fundit të Komisionit Europian, i cili rekomandon hapjen e negociatave për antarësim në BE.

Rezultatet në fushat e sipërpërmendura, të vlerësuara edhe nga autoritetet franceze, luajnë një rol të rëndësishëm në proceset dhe vendimet e rëndësishme në të ardhmen.

Ata ranë dakord të takohen së shpejti në Paris ose në Tiranë, së bashku me ekipet përkatëse, për të vlerësuar punën e bërë dhe për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e rendit dhe sigurisë.

Ministri i Brendshëm Xhafaj shkruan në “Twitter” pas takimeve në Francë se, “Konferenca e Parisit mbi luftën kundër financimeve për terrorizmit “No Money for Terror”, u përmbyll suksesshëm. Gjatë punimeve, pata një bisedë shumë të frytshme me homologun Collomb, me të cilin ndamë vlerësimet rreth çështjeve të axhendës së përbashkët.

Falënderim i veçantë për vlerësimet e shprehura prej tij në përfundim të fjalës sime, duke çmuar publikisht punën e Qeverisë shqiptare dhe të MB. Mirënjohje për mbështetjen që Franca dhe qeveria e saj i japin vendit tonë.

Mundësi dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që pata rastin të shkëmbeja një përshëndetje të përzemërt me Presidentin Macron. Mirënjohje zoti President për vlerësimet tuaja shumë inkurajuese”. /e.xh//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version