TIRANE, 27 Prill /ATSH/ -Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mori pjesë në konferencën “No money for terror” që u zhvillua në Paris me iniciativë të Kryeministrit francez, Emmanuelle Macron, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit. Në konferencë morën pjesë më shumë së 80 ministra nga e gjithë bota.
Në fjalën e mbajtur prej saj, ministrja Gjonaj vuri theksin te mbështetja e vendosur e dhënë nga Shqipëria në luftën globale kundër terrorizmit, përmes pranisë së saj përkrah aleatëve tanë në zonat e krizës, si dhe te masat konkrete legjislative dhe institucionale të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin dhe hetimin e fenomenit të ekstremizmit dhe terrorizmit.
Përfshirja e Shqipërisë në strukturat dhe rrjetet ndërkombëtare ka bërë tashmë një nivel të lartë shkëmbimi të informacionit lidhur me terrorizmin dhe financimin e tij.
“Mbetet ende shumë për t’u bërë për të siguruar rezultate efektive në sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij. Rritja e nivelit të brendshëm të bashkëpunimit mes autoriteteve kombëtare ligjzbatuese në shkëmbimin e informacionit dhe kryerjen e veprimeve – pavarësisht varësisë hierkarkike – është një faktor kyç për maksimizimin e rezultateve”, ka theksuar ministrja Gjonaj.
Sipas saj, një rol të rëndësishëm në luftën kundër financimit ka edhe sektori privat, i cili duhet të ndërgjegjësohet dhe të mbahet përgjegjës në rast shkeljeje të legjislacionit për pastrimin e parave.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja theksoi rëndësinë që kanë proceset integruese në BE në forcimin e bashkëpunimit dhe rezultatet në luftën kundër krimit. Për këtë qëllim, vlerësoi ajo “është e rëndësishme mbështetja e Shteteve anëtare të BE dhe të republikës Franceze në veçanti në hapjen e procedurave të aksesimit të Shqipërisë në hapësirën e përbashkët europiane. /e.malaj/ /a.g/