AKU konfiskon 29 lopë të pamatrikulluara dhe dy mjete transporti

TIRANË, 27 prill /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) mbi bazën e informacioneve të marra, ka kryer një kontroll në mesnatë në aksin rrugor Sarandë–Qafë-Botë.

Gjatë kontrollit janë ndaluar dy mjete të pa licencuara për transport kafshësh, me 29 krerë lopë të pa regjistruara, të pa matrikulluara dhe pa certifikatë lëvizjeje.

Në këto kushte, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konfiskuar menjëherë mjetet e transportit dhe kafshët, të cilat janë transportuar pranë karantinës shtetërore.

Nga ana tjetër AKU ka njoftuar strukturat e krimit ekonomik dhe Drejtorinë e Bujqësisë Vlorë për të vazhduar më tej me procedimin administrativ dhe penal për pronarin e kafshëve dhe dy drejtuesit e mjeteve, për shkelje të rënda të protokolleve zyrtare veterinare.

Theksojmë se këto shkelje e bëjnë jo vetëm të pasigurt, por të rrezikshëm konsumimin e mishit.

Investigimi vazhdon për origjinën e këtyre kafsheve, të cilat dyshohet se vijnë nga shteti grek si dhe për shkelje të tjera edhe të veterinerëve zyrtarë përgjegjës. /e.malaj//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.